E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA dhe Rusia nisin bisedimet për reduktimin e arsenaleve nukleare

Rusia dhe Shtetet Bashkuara të Amerikës zhvilluan dje raundin e parë të bisedimeve treditore që kanë në qendër përpjekjet për krijimin e një traktati të ri lidhur me reduktimin e armëve nukleare. Diplomatëve të të dyja fuqive u duhet të zëvendësojnë traktatin Për Reduktimin e Armëve Strategjike (Start 1), i cili skadon në dhjetorin e këtij viti. Pikat kyçe të debateve kanë të bëjnë me limitimin e numrit të mbushjeve nukleare dhe nëse në traktat do të përfshiheshin edhe avionët bombardues, si dhe raketat transportuese.

Sipas analistëve, suksesi i këtyre bisedime do të konsiderohet një shtysë përpara në marrëdhëniet mes dy shteteve përpara vizitës së Presidentit Barak Obama në Moskë, e parashikuar për në korrik të këtij viti. Obama dhe analogu i tij, Dimitri Medvedev, ranë dakord muajin e shkuar të bashkëpunojnë për zëvendësimin e traktatit Start 1 të nënshkruar në vitin 1991.

Bisedimet e djeshme u zhvilluan me dyer të mbyllura në një pallat të shekullit XIX të Moskës. Ministria e Jashtme ruse nuk pranoi të lëshonte komente mbi ecurinë e bisedimeve, gjithsesi agjencia shtetërore e lajmeve të këtij vendi vizitoi një burim anonim të Ministrisë së Jashtme i cili tha: "Jemi në kërkim të dialogut konstruktiv dhe shpresojmë se optimizmi që po shprehet nga të dyja palët do përkthehet në rezultate praktike".

Grupi i negociatorëve amerikanë kryesohet nga asistentja e sekretares amerikane të Shtetit, Roz Gotmoler, dhe përfshin në radhët e tij zyrtarë nga Pentagoni, si dhe nga Departamenti amerikan i Energjisë. Gotmoler, eksperte e problemeve të Rusisë, zhvilloi bisedime paraprake muajin e shkuar në Romë me kryenegociatorin rus, Anatoli Antonov. Në një konferencë shtypi të mbajtur menjëherë pas atij takimi, të dy nënvizuan se bisedimet kishin qenë "produktive".

Rusia ka bërë me dije se përveç pakësimit të kokave nukleare ka ndër mend të ngulmojë edhe në reduktimin e sistemeve të transportimit të armëve bërthamore - siç janë avionët bombardues, raketat dhe nëndetëset. Njëherësh kërkon t‘i lidhë bisedimet në këtë kuadër edhe me një sistem mbrojtës kundër-raketor që Shtetet e Bashkuara kanë ndër mend të ndërtojnë në Evropën Lindore.

Sipas ekspertëve, suksesi në formulimin e një traktati ë ri bërthamor do t‘i garantonte Uashingtonit më shumë mjete morale dhe politike përballë vendeve me ambicie nukleare si Irani dhe Koreja e Veriut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›