E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku i futbollit modern

Të gjithë janë nën ankth dhe luten për rikuperimin e mesfushorit të Boltonit, Fabrice Muamba, i cili të shtunën pësoi sulm në zemër gjatë ndeshjes kundër Tottenhamit. Skena si kjo në vitet e fundit janë parë shpesh në fushat e futbollit, e në disa raste kanë përfunduar tragjikisht me vdekje.

Një emër i ri në listën e zezë. Mesfushori i Boltonit, Fabrice Muamba pësoi sulm në zemër në ndeshjen kundër Tottenhamit të shtunën në FA Cup. Ai u rrëzua përtokë nën shokun e gjithë të pranishmëve, skena të cilat i kemi parë mjaft shpesh në vitet e fundit.

Mjekësia duket sikur nuk po gjen arsye dhe kjo është ajo që brengos. Kthehemi më prapa. Më 24 tetor 2010, në ndeshjen e ligës së dytë spanjolle, Salamanca-Betis në minutën e 61-të, futbollisti i vendasve, 31 vjeçari Miguel Garcia u rrëzua papritmas në fushë. Arsyeja ishte sulmi në zemër. Fatmirësisht, ai shpëtoi jetën e tij, por pas rikuperimit njoftoi se nuk do të kthehej më në fushën e lojës.

Sno pësoi sulm në zemër

Vetëm një muaj më herët, mesfushori i Ajaxit, Evander Sno pësoi sulm në zemër në fushë në duelin e skuadrës së rezervistëve kundër Vitesses. Mjekët e trajtuan në fushë duke tentuar t’ia kthejnë vetëdijen. Më pas u dërgua në spital, ku qëndroi nën kujdes intensiv. U shërua dhe tani luan për skuadrën tjetër holandeze Waalwijk.

Loo e tejkaloi problemin

Futbollisti belg Anthony van Loo pësoi sulm në zemër më 2008, por arriti të rikuperohet dhe të vazhdojë karrierën. Në ndeshjen e skuadrës së tij Roeselarea kundër Antwerpenit, ai u rrëzua përtokë pas sulmit në zemër, por fatmirësisht kaloi pa pasoja të rënda. Mjekët kanë theksuar se një defibrilator ia shpëtoi jetën sepse me instalimin e tij, zemra ka ritëm normal. Loo tani luan për skuadrën belge Mechelen.

Jarque vdiq në hotel gjatë përgatitjeve

Për dallim nga rastet e lartpërmendura, Jarque nuk pësoi sulm në zemër gjatë ndeshjes, por në dhomën e hotelit, derisa ishte duke biseduar me të dashurën e tij. E po ashtu në rastin e tij sulmi ia mori jetën. Skuadra e Espanyolit ishte në përgatitje në Firencë, kurse Jarque u gjend në dhomë nga cimeri i tij Ferran Corominas. Vdekja e Jarques është edhe më tragjike duke pasur parasysh se disa muaj më vonë ai u bë baba.

Vdekja e Mac Vivien Foe

Kishte raste edhe më të dhimbshme si vdekja e kamerunasit Marc Vivien Foe në Kupën e Konfederatave në Francë më 2003. Në ndeshjen çerekfinale me Kolumbinë, Foe u rrëzua në mesin e fushës. Mjekët u munduan ta ngjallin, por pa sukses. Foe vdiq pas 28 vitesh jetë, e madje u fol që Kupa e Konfederatave të ndërrojë emrin në Kupa Marc Vivien Foe. Kurse para stadiumit të Manchester Cityt, skuadër për të cilën luante në atë kohë, gjendet një përkujtim për futbollistin e ndjerë kamerunas.

Vdekja tronditëse e Miklos Feherit

Vetëm një vit para vdekjes së Foes, bota u trondit nga një tjetër vdekje tragjike në fushën e futbollit. I riu Miklos Feher në ndeshjen e kampionatit portugez, mes Benficas dhe Vitoria Setubal, në minutat shtesë mori karton të verdhë e menjëherë më pas u rrëzua në tokë. Ekipi mjekësor u mundua ta ngjallë me elektroshok, por fatkeqësisht nuk kishte ndihmë për të. Benfica e pensionoi fanellën e tij me numrin 29.

Tragjedia e Puertas

Janë ende të freskëta kujtimet e vdekjes së futbollistit të Sevillas, Antonio Pueta. Kishte vetëm 22 vjet kur vdiq pas sulmit në zemër në ndeshjen kundër Getafes. Në minutën e 35-të u rrëzua në tokë, mjekët iu afruan menjëherë për t’i dhënë ndihmë, por pas daljes nga fusha drejt zhveshtore, ai e pësoi një tjetër sulm që ishte i kobshëm. Për tri ditë jetoi nën aparate të cilat e mbanin gjallë, por më pas u dorëzua. Aso kohe ishte në listë për t’u ftuar në Kombëtaren spanjolle, kurse priste të bëhej baba për herë të parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›