E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vila tri pike pas Janines

Emiliano Vila është sërish vendimtar për Pas Janinën në Superligën greke të futbollit. Mesfushori I Kombëtares shqiptare ka fituar një vend në formacionin titullar të skuadrës, ndërsa përveç rëndësisë në repartin e mesfushës, ai shfaqet edhe si golashënues.
24-vjeçari ka gjetur rrugën e rrjetës në fitoren 2-1 që Pas Janina regjistroi në fushën e Ksanthit, në javën e 25-të të kampionatit, ndërsa skuadra e njohur ndryshe si “Ajaksi i Epirit” ka fituar disa vende në klasifikim, ndërsa tashmë mund të marrë frymë paksa më lirisht në luftën e fort për mbijetesë.
Vila shënoi në minutën e 82-të, duke realizuar golin e avantazhit të përkohshëm 2-0 të ekipit nga Janina, që më parë kishte realizuar me Beserran, përpara se kronometri të tregonte një orë lojë. Vendasit shkurtuan shifrat në minutat e fundit, por ishte shumë vonë dhe Ksanthi u detyrua të largohet nga fusha I mposhtur.
Ky është goli i dytë për Emiliano Vilën në këtë sezon me Pas Janinën, ndërsa edhe në fundin e muajit janar goli I tij kishte vlerën e tri pikëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›