Rrëzimi i avionit, Berisha ngushëllon Sarkozy-në
Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi Presidentit të Francës, z. Nicolas Sarkozy, përmes të cilit i shpreh ngushëllimet e tij më të sinqerta dhe dhimbjen e thellë për aksidentin e rëndë tragjik të rënies së avionit të Air France. Në këtë mesazh Kryeministri Berisha shprehet: “I dashur zoti President, lajmi i zhdukjes në oqean i avionit të Air France me 228 pasagjerë në bord ishte një lajm shokues për mua dhe për qeverinë time. Me këtë rast, unë ju përcjell Ju, zoti President, qeverisë Suaj, kombit mik francez dhe familjarëve të të humburve ngushëllimet më të sinqerta. Shqiptarët ndajnë me ju dhimbjen e thellë për aksidentin tragjik dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e merituar”.