Clapper, Berishës: Faleminderit për misionet paqeruajtëse
SHBA, përmes nënsekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James Clapper, i shprehu dje mirënjohjen Kryeministrit Sali Berisha për angazhimin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan. Z. Berisha priti dje z. Clapper, të cilin e informoi për vendimin që ka marrë qeveria shqiptare për dërgimin së shpejti në Afganistan edhe të një kompanie ushtarake, 20 mjekëve dhe infermierëve, si dhe për financimin e ndërtimit të disa shkollave. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë për të pranuar studentë afganë në universitetet shqiptare.
Për sa u përket zgjedhjeve të 28 qershorit, Berisha shprehu bindjen se zgjedhjet në Shqipëri do të jenë të lira dhe të ndershme, si dhe nënvizoi se "SHBA po ndjek me vëmendje procesin zgjedhor në Shqipëri". Duke informuar për përgatitjet që po bën qeveria për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Kryeministri Berisha u ndal te dixhitalizimi i regjistrit të gjendjes civile dhe i listave të votuesve, si dhe procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike dhe letërnjoftime elektronike.
Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për situatën në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, ku u evidentua suksesi i madh që ka bërë Kosova pas pavarësisë, sidomos në fushën e sigurisë.