Rrëzohet Federer, Li-Clijsters në finale
Kampioni në fuqi, Roger Federer u eliminua nga Australian Open pas humbjes në gjysmëfinale nga Novak Djokovic me rezultat 7-6 (3), 7-5, 6-4 në sete dhe iu bashkua Rafael Nadalit jashtë turneut të parë Grand Slam për vitin 2011.
Nadal ishte në kërkim të triumfit të katërt të njëpasnjëshëm në nj Grand Slam turne, ndërsa Federer synonte titullin e pestë të tij në Australi. Por, Nadal u eliminua nga bashkëkombësi i tij spanjoll David Ferrer, ndërsa edhe Federer u kthye në shtëpi. Në finale, bartësi i tretë Djokovic do të presë fituesin e përballjes Andy Murray – David Ferrer.
“Ishte një paraqitje e mirë. Jam shumë i lumtur me mënyrën si kam luajtur. Kam shërbyer mirë edhe kur isha nën presion”, tha serbi Djokovic.
Kjo është hera e parë nga viti 2003 që Federer nuk do të mbrojë asnjë prej katër titujve të tij Grand Slam.
Më herët të enjten, në konkurrencën e femrave, Kim Clijsters kaloi në finale pas fitores ndaj Vera Zvonarevas dhe do të takohet për titull me Li Na, e cila shpëtoi një meç poen në fitoren ndaj Caroline Wozniacki në rrugën drejt tenistes së parë kineze që kaloi në finale të një Grand Slam turneu.
“Është kënaqësi te jem në një tjetër finale. Është ndjenjë e mirë të jesh në mesin e dy tenisteve të fundit në garë, të cilat luftojnë për titull. Më pret edhe një ndeshje, e fundit, duhet të jap krejt çka kam”, tha Clijsters.
Finalistja tjetër Li ishte e para që fitoi përballjen e saj gjysmëfinale me rezultat 3-6, 7-5, 6-3 në sete kundër bartëses së parë Wozniacki, e cila shërbeu për fitore te epërsia 5-4 në setin e dytë. Kampionja nga US Open, Clijsters diktoi lojën e saj kundër bartëses së dytë Zvonareva dhe fitoi 6-3, 6-3, duke përsëritur rezultatin e përballjes së tyre nga finalja në US Open. Zvonareva kishte arritur në finale të dy Grand Slam turneve të fundit.
Ajo kishte dy brek poenë në gemin e tetë të setit të dytë, por i humbi të dyja dhe Clijsters fitoi katër pikë të njëpasnjëshme për epërsinë 5-3 e më pas shërbeu për fitore. Clijsters është e vetmja fituese Grand Slam, që ishte kualifikuar për në gjysmëfinale.
Meshkujt:
Djokovic - Federer 7-6, 7-5, 6-4
Femrat:
Clijsters - Zvonareva 6-3, 6-3
Li - Wozniacki 3-6, 7-5, 6-3