E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezohet Topi. PD voton kunder 4 kandidateve te tij

Komisioni i Ligjeve i jep ‘OK’ kandidaturës së Fatmir Hoxhës për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për tre kandidaturat e tjera kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali bëri me dije se nëpërmjet një letre kryetarja e Kuvendit do i drejtohet Presidentit të Republikës për kthimin mbrapsht të tyre.

“Ne vërtet kemi bërë relacione për të katërt dekretet që na kanë ardhur. Në vlerësimin tim, nëqoftëse ne do të vazhdonim të procedonim me të katërt relacionet, sot praktikisht jemi duke neglizhuar paralajmërimin e rëndë që na jep Gjykata Kushtetuese për cënimin që mund t’i vijë parimit të rotacionit nga procedimi ‘un-block’ për 4 kandidaturat. Në këto rrethana do të sugjeroja të nderuar kolegë që ne të mund të dalim si komision me një propozim të tillë, t’i përcjellim Kuvendit vazhdimin e procedurës për kandidaturën që komisioni ka gjetur në përputhje me kriteret që parlamenti ka për vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë të gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër të përcjellim propozimin për kryetaren e Kuvendit për tre kandidaturat e tjera. këto kandidatura të mund të kthehen mbrapsht dhe të riparaqiten në afatin që përcakton Kushtetuta dhe gjykata Kushtetuese që e rikonfirmon”- shpreh Rusmali.

Në seancën parlamentare të ditës së enjte do të votohen edhe dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi dhe Edmond Islamaj, ndërsa kandidatura e Manjola Bejlerit është konsideruar e papërshtatshme nga ana e komisionit të ligjeve. Madje për të këtë të fundit, deputeti Dashnor Sula kërkoi edhe ndjekje penale.

“Nëse një gjyqtare e tillë si zonja Bejleri, dhe raporti që paraqet relatorja dhe ne si komision do ta votojë, duke qenë se paska kaq shkelje do të ishte në nderin tonë të komisionit dhe të relatores që t’i paraqiste një raport dhe ministrit të Drejtësisë që të fillonte procedimin penal ose edhe më tej, ndoshta për ndjekje penale, sepse ajo nuk ka arritur që me performancën e saj të ndryshojë raportet në gjyqësor, plus që paska 40%- 50% prishje të vendimeve. Besoj përbën shkelje disiplinore dhe nuk mund të rrimë indiferent si komision” tha Sula.

Tre kandidaturat për gjykatën e lartë, dhe një për Kushtetuesen do të kalojnë për votim në Parlament këtë të enjte.
Azhornuar së fundi ( e martë , 14 qershor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›