Buxheti i shtetit kompenson humbjet e OSSH-së
Në marrëveshje parashikohet që shteti t'i kompensojë investitorëve humbjet e shkaktuara nga mosrritja e çmimit
TIRANË- Kërkesa zyrtare e OSSH-së për rritjen e çmimit të energjisë ka të bëjë me një shtrenjtim të sajin ne masën 44.2 për qind e ndarë ndërmejt viteve 2010.2011. Në marrëveshjen e midis CEZ-it dhe qeverisë shqiptare parashikohet që gjatë vitit 2010 OSSH të ketë një nivel të ardhurash deri në 44.5 miliardë lekë.
Duke e pasur të pamundur arritjen e kësaj shifre për shkak të nivelit të lartë të humbjeve, kjo e fundit kërkon ta arrijë atë duke rritur çmimin e energjisë.
Kështu, sipas përllogarijeve të bëra nga kompania CEZ, për të arritur nivelin e të ardhurave në 44.5 miliardë lekë, çmimi i energjisë duhet të pësojë një rritje me 44.2 për qind.
Por, me arsyetimin se një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në marrëdhënien e saj me konsumatorët është parashikuar që ajo gjithsesi të kryhet por duke e ndarë në dy vite. Pra, për vitin 2010 parashikohet të aplikohet një rritje mesatarisht deri në 23.1 për qind ndërsa pjesa tjetër prej 21.1 për qind do të rritet gjatë vitit 2011.
Por duke parë që me një rritje deri në 23.1 për qind, gjatë vitit 2010 kompania nuk e arrin shumën e të ardhurave 44.5 miliardë lekë të përcaktuara për këtë vit, për mbushjen e kësaj grope do të përdoren para nga buxheti i shtetit. Janë rreth 950 milionë lekë që do të jepen në formë kompensimi për të përmbushur shumën e të ardhurave të përcaktuara për vitin 2010 sipas deklaratës rregullatore.
"Në aplikimin e tarifës për 2010 ne kemi llogaritur mundësinë për të lëshuar 947 milionë lekë tek kompensimi pa tejkaluar rritjen e tarifës së konsumatorëve fundorë prej 23,1 për qind krahasuar me nivelin e 2008-ës", -citohet në kërkesë.
Kjo është shuma nëse ERE pranon një rritje deri në 23.1 për qind për 2010-ën. Pasi, nëse masa e rritjes është më e vogël, atëhere edhe shuma që shteti shqiptar do të duhet t'i kompensojë komanisë CEZ do të jetë më e madhe.
"Ne aplikuam për një rritje të çmimit të energjisë në masën 44.2 për qind, i cili do të mbulonte kostot dhe do të dilnim me humbje zero, por në kushtet aktuale ne kërkojmë që në vitin e ardhshëm çmimi të rritet me 23.1 për qind dhe diferencën prej 21.1 për qind do ta kërkojmë gjatë vitit 2011", - theksohet në kërkesën e CEZ-it drejtuar ERE-s në shtator.