Rrëzohet në Francë helikopteri i destinuar për Shqipërinë

Gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një helikopteri në zonën malore të Provence në juglindje të Francës. Helikopteri u rrëzua rreth orës 13:40 sipas orës lokale në Verdon Gorge, një zonë e populluar nga ekskursionistët. Helikopteri, i llojit Cougar, i përkiste kompanisë së avionëve Eurocopter dhe po kryente nje fluturim testi, që përfshinte pilotët dhe inxhinierët. Helikopteri i këtij lloji, rrëzuar në alpet në jug të Francës, ishte i destinuar për Shqipërinë.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kufirit me Italinë, të mërkurën dhe sipas burimeve mësohet se incidenti ka ndodhur në testin e fundit të provës në kanionet e Verdonit, në juglindje të Francës. Bëhet e ditur se, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të zhvillonte ceremoninë e helikopterëve, ku dy helikopterë të rinj të “Cougar” dhe një i “EC-145” do vinin në Rinas.
Stacioni francez i radios, Europa tha se helikopteri “Cougar” ishte destinuar për ushtrinë shqiptare bashkë me një helikopter tjetër të tipit “EC-145”. Helikopteri parashikohej të përdorej nga ushtria për transportimin e personaliteteve, por dhe për nevoja të tjera të ushtrisë. Ndërkohë që nëpërmjet një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes njoftohej se 3 helikopterë të kësaj kompanie do të mbërrinin në Shqipëri dhe për këtë do të kryhej një ceremoni zyrtare në orën 18:00 në aeroportin e Rinasit.