Udhezimi i ri per policine rrugore
Udhëzimi i ri i Ministrit të Brendshëm për shtrëngimin e procedurave për vendosjen e gjobave në mungesë për drejtuesit e automjeteve ka ardhur si përgjigje e shqetësimeve të qytetarëve si dhe shmangien e abuzimeve. Sipas kryekomisar Hutit kjo praktikë është shumë lehtësuese për qytetarët edhe për shkak të kamatëvonesës, e cila fillon vetëm në momentin që drejtuesi i automjetit merr dijeni për gjobën. Zoti Huti sqaron se njoftimi i qytetarëve do të bëhet nëpërmjet postës shqiptare dhe adresave të sakta të qytetarëve dhe vlen vetëm për automjetet me targa shqiptare pasi automjetet me targa të huaja duhet të shlyejnë gjobën në vend. Kryekomisari, Adriatik Huti shprehet për abc news se as policia bashkiake e as patrulla e përgjithshme e policisë siç ka ndodhur në jo pak raste, nuk mund të marrin patentën e qytetarëve apo të vendosin gjoba. Punonjësi i Patrullës së Përgjithshme apo Policisë Bashkiake në rast konstatimi të shkeljeve nga ana e drejtuesve të automjeteve, njofton kolegët e policisë rrugore të cilët përpilojnë procesverbalin.