Rrihet kryetari i komunës, plagoset një i ri
Incidentet nuk kanë munguar në Qarkun e Fierit, ndonëse procesi ka qenë përgjithësisht i qetë. Në Komunën Topojë është fyer dhe rrahur kryetari i Komunës së Topojës, Sotir Zarka, nga një militant i PD-së. Kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun e Fierit, Dritan Prifti, bëri me dije se është denoncuar personi i dyshuar si autor. Mësohet se një i ri 22-vjeçar ka mbetur i plagosur në fshatin Kurjan të Roskovecit, Qarku i Fierit, sapo ka lënë qendrën e votimit. Mësohet se ai ka debatuar me një bashkëfshatarin e tij për subjektet politike PD dhe PS. Pas sherrit me fjalë janë nxjerrë thikat dhe 22-vjeçari ka mbetur i plagosur. Ndërsa në qendrën zgjedhore të fshatit Ruzhdie të Rrethit të Fierit ka pasur konflikte mes komisionerëve. Rreth orës 10:30, situata është agravuar dhe është bllokuar plotësisht procesi i votimit. Sekretari i qendrës së votimit, përfaqësues i PS-së, është larguar nga qendra e votimit së bashku me vulën dhe pak minuta më pas është larguar edhe nënkryetari i qendrës së votimit, po përfaqësues i PS-së, Pëllumb Ferzaj, i cili ka qëndruar për afro një orë jashtë qendrës së votimit në pritje të një vendimi të KQZ-së. Ai është prononcuar për gazetën "Shqip" se "parregullsia e procesit të votimit na detyron të marrim këtë vendim. Ndërsa kanë ardhur për të votuar 75 persona, në kutinë e votimit janë hedhur 100 fletë më tepër". Ndërsa në qytetin e Fierit, në qendrën e votimit me numër 3014, tek Azili i Pleqve, shtetësia Alma Gjonçe ka shkuar për të votuar, por në vend të saj kishte votuar një tjetër person. Kryetarja e komisionit të kësaj qendre, Mimoza Krasniqi, ka thënë se është një gabim teknik, por gjithsesi është mbajtur proces verbal për këtë problem.