E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rriten çmimet për lejet e qëndrimit

16/04/2005  Nga viti në vit rriten çmimet, por marrja e “lejes”, asnjëherë nuk është e sigurt

Taksat për çdo dokument që duhet për të përfituar leje qëndrimi

Deri dje nuk kishe asnjë shans për t’u legalizuar në Greqi, ndërsa sot taksat janë tepër të kripura. Je i detyruar t’i blesh këto letra, pasi do të jetosh. Në këtë rast një ligj ekzistues apo projektligj shet lejen për një jetesë të kufizuar ose të gjatë, pa të garantuar se “produktin”, lejen e qëndrimit do ta marrësh menjëherë në dorë. Përkundrazi, ti në bazë të ligjit je i detyruar të dorëzosh shumën për blerjen e kësaj jetese, madje pa këtë nuk mund të bësh asnjë veprim. Por organi kompetent nuk të jep në dorë asnjë produkt me vlerë të barabatë, por vetëm një vërtetim që fiton njëfarë vlere, gjithsej tre herë në vit. Por, historia nuk mbaron këtu. Sa për dijeni, ajo sapo ka zënë fill...

Legalizimi i vitit 2001

Ndërsa në Greqi kishte filluar zbatimi i Ligjit për Emigracionin (2910/2001) pakkush nga emigrantët që pritnin të fitonin nga nenet e tij, e përqëndroi vëmendjen në shumat që kërkoheshin atje-këtu, e aq më pak te taksa e legalizimit. E rëndësishme për të gjithë ishte se më së fundi kishin një mundësi për t’u legalizuar, për të patur dokumente të rregullta që do t’ju garantonin një qëndrim të ligjshëm në Greqi. Në atë kohë taksa e 50 mijë dhrahmive u “vol” edhe nga pensionistët, paçka se një pjesë e tyre, sikurse do të rezultonte më vonë, nuk do të kishin mundësi për legalizim. Dhe këto para nuk u kthyen kurrë pas, megjithëse që në fillim dihej se nuk duheshin pranuar kërkesat...

Nga ana tjetër, emigrantët shqiptarë që përfituan nga legalizimi dhe që i paguan në kohë detyrimet e tyre, qoftë juridike dhe ekonomike, filluan pak nga pak, me kalimin e kohës të ndërgjegjësoheshin se taksa ishte paguar për një vit dhe ata ende nuk ishin pajisur me ndonjë leje qëndrimi. Në rastet kur ata kishin kërkuar që t’u ktheheshin paratë e dhëna, përgjigjja nga organët kompetente (Ministria e Brendshme dhe Sekretaria e Përgjithshme e Periferisë) ishin mbështetur në faktin se, megjithëse nuk dispononin leje qëndrimi, ata ishin të ligjshëm në Greqi. Veçse ishte harruar një fakt tepër i rëndësishëm në këtë histori: vetëm shumë kohë më vonë (konkretisht në 2003) iu lejua emigrantëve që dispononin vërtetimin e dorëzimit të dokumenteve për dhënien apo rinovimin e lejes së punës ose të qëndrimit (shkurt, veveosi) të kryeni procedura të nevojshme në zyrat e taks-tatimeve, në OAED (që nuk pranonte deri atëherë të regjistronte në punë emigrantë pa lejen e qëndrimit etj.), kjo do të thoshte se, megjithëse ishte paguar taksa e duhur, qëndrimi në Greqi për një pjesë të emigrantëve ishte gjysmak. Shumë herë ata detyroheshin, madje edhe sot, për t’u treguar punonjësve ligjin, sipas të cilit u njihen të drejta të plota, ndërsa disponojnë vetëm “veveosin” (natyrisht përveç qarkullimit jashtë Greqisë).

Lejet 2-vjeçare

Por çështja e taksave të legalizimit do të bëhej akoma më e mprehtë, ndërsa do të fillonte të zbatohej ligji për lejet 2-vjeçare të qëndrimit. Shuma e rreth 300 eurove për çdo person mbi 14 vjeç do të rëndonte në xhepin e emigrantëve, të cilët për çdo vit duhet të paguanin edhe një sërë detyrimesh të tjera ekonomike sikurse ensima, avokatë etj. E prapë këtë herë shuma e parave u “mbulua” me ngrohtësinë që krijoi fakti se më së fundi emigrantët do të përfitonin leje qëndrimi jo më 1-vjeçare, por 2-vjeçare. Mundimi dhe sorollatjet kishin arritur kulmin dhe të mendoje për taksën e legalizimit ishte më e pakta. Megjithëse, emigrantët e dinë shumë mirë se e gjithë procedura e rinovimit kërkon shumë më tepër se 300 euro, po të mbledhësh edhe ditët e punës që humbet, fotokopjet e legalizuara, fotografitë etj.

Projektligji “Pavlopulos”

Dhe ndërsa kishin filluar “protestat” e para nga ana e emigrantëve dhe përfaqësuesve të shoqatave të tyre, nëpërmjet të cilave kërkohej ulja e taksave të legalizimit, befas vjen ligji “Pavlopulos”. Premtimet marrin formë konkrete dhe sikurse do të vërtetoni jo vetëm që nuk ka çuar në ulje të taksave, por përkundrazi ato fillojnë të kapin majën, duke e bërë të vështirë qëndrimin për shumë emigrantë dhe familjet e tyre. Kështu, sipas nenit 92 të projektligjit më të fundit për emigracionin, kërkesa për dhënien dhe rinovimin e lejes së qëndrimit shoqërohet me taksën përkatëse.

Para dhe pas liste

Siç duket nga lista e “çmimeve” të mësipërme mbi produktet e emigracionit, çështja e qëndrimit të ligjshëm në Greqi të emigrantëve nuk do të jetë një gjë dhe kaq e lehtë. Madje ajo nga një procedurë burokratike tani e tutje do të shndërrohet më së shumti në një rëndesë ekonomike, e vështirë për t’u përballuar nga të gjithë. Mendoni një familje emigrante, të përbërë nga pesë anëtarë. Nëse ata në vitin 2006 do të kërkojnë pajisjen me leje qëndrimi me afat të gjatë, atëherë do t’ju duhej të paguajnë plot 2250 euro, shumë kjo tepër e lartë, e cila nga ana tjetër, duke patur parasysh edhe numrin e madh të emigrantëve të ligjshëm në Greqi, do të pasuronte dukshëm arkën shtetërore vendase. Ja dhe një rast tjetër, ku emigrantët thirren në Greqi për të shpëtuar ekonomi apo politika në lëkundje...

Dhe të gjitha këto rëndojnë mbi kurrizin e emigrantit të thjeshtë, punëtor, i cili pas kaq vitesh mundimi dhe përpjekjesh, kërkon më së fundi të sigurojë një leje qëndrimi sa më të ligjshëm, sa më të sigurt për veten e tij dhe familjen. Dhe si rrjedhim është i deytruar të nxjerrë nga xhepi i tij paratë që kërkohen për çdo rast, dmth., shumicën e tyre që fiton. Por kush e garanton se nesër nuk do të ketë rritje të re të çmimit të lejeve të qëndrimit?!

Projektligji “Pavlopulos”

Për lejet me kohëzgjatje 1-vjeçare taksa është 150 euro

Për lejet 2-vjeçare do të paguani një taksë prej 300 eurosh

Për lejet deri në tre vjet taksa do të kushtojë 450 euro

Ndërsa për emigrantët që do të kërkojnë dhënien e lejes së qëndrimit me afat ta gjatë, taksa që do të depozitojnë do të kushtojë plot 900 euro për person. Po kaq do të kushtojë edhe leja e qëndrimit me afat të pakufizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›