Rriten import-eksportet e mallrave mes Shqipërisë dhe Kinës

Tregtia e jashtme me Kinën ka shkuar drejt rritjes gjatë këtij viti, duke sjellë shtim të mallrave kineze në tregjet shqiptare. Sipas burimeve zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT), tregtia tradicionale me shtetin e madh aziatik po vazhdon me ritme të kënaqshme, duke synuar si rritjen e importit, ashtu dhe eksportit. Në muajin korrik, 2009 nga tregu kinez u importuan në Shqipëri mallra me një vlerë prej 2,259 miliardë lekë (nga 2,115 miliardë lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar). Ndërsa gjatë 7 muajve, (janar-korrik), nga Kina u importuan mallra të ndryshme me një vlerë totale prej 18,117 miliardë lekë (nga 15,119 miliardë lekë që ishte kjo shifër në vitin 2008). Sipas INSTAT, gjatë muajit korrik 2009, drejt tregut kinez u eksportuan mallra të ndryshme shqiptare me vlerën 922 milionë lekë (nga 459 milionë lekë vitin e kaluar). Ndërsa gjatë 7 muajve u eksportuan drejt Kinës mallra me një vlerë prej 2,297 miliardë lekë (nga 1,549 miliarde lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar).
...