E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten sëmundjet seksuale, preken 211 dhurues gjaku

Tiranë- Sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë shtuar ndjeshëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Kjo sepse vetëm në këtë periudhë kohe janë zbuluar 300 raste të reja, ndërsa kjo shifër shihet alarmante pasi mbi 211 të prekur janë dhurues gjaku.

Mjekët e Shëndetit publik u kanë bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj këtyre sëmundjeve pasi në periudhën e verës është shumë i lartë numri i personave që lëvizin jashtë vendit.

“Në Tiranë nga analizat që kryen Qendra Kombëtare e Gjakut dhe që konfirmohen nga Instituti i Shëndetit Publik rezultojnë që për këtë janë përjashtuar 211 raste sepse kanë rezultuar të infektuar me hepatin B. Po kështu 42 raste të infektuar me virusin e hepatiti C. Janë deklaruar dhe 9 raste me sifiliz. Këto janë nga depistimi pasiv. Nëse do të futemi për të bërë një depistim më të madh, sigurisht që do të jetë më e madhe. Përpara se të kryejmë marrëdhënie seksuale duhet që detyrimisht të mbrohemi. I vetmi mjet mbrojtës në të gjithë botën është kondomi”, – deklaron epidemiologu Halil Stana.

Specialistët kanë bërë apel që të gjithë personat e prekur nga sifilizi, herpesi apo gonoreja të marrin ndihmën e duhur mjekësore pasi gjasat për të marrë virusin HIV janë të shumta.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›