Rritet me 21 cent çmimi i naftës
Çmimi i arit në zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar një rritje të lehtë. Sipas mediave të huaja, një fuçi naftë është kuaotur me 101.08 dollarë, duke pësuar kështu një rritje të vogël prej 21 cent. Por, pavarësisht kësaj, rritja e çmimit të arit në zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar ulje të ndjeshme në krahasim me pak muaj më parë, ku një fuçi naftë kuotohej mbi 160 dollarë. Por edhe pse çmimi i arit në zi në bursat e ndërkombëtare ka pësuar ulje në tregun vendas, një ndryshim i tillë nuk është reflektuar. Në fakt e kundërta ndodh sa herë që çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare rritet. Kjo rritje reflektohet në tregun vendas brenda pak ditësh. Por pavarësisht rritjes së çmimit të karburanteve në vend kërkesa për këto produkte nuk është ulur. Sipas të dhënave më të fundit nga administrata doganore, importi i karburanteve gjatë këtyre 8-muajve ka pësuar rritje. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij harku kohor janë zhdoganuar mbi 262 mijë tonë karburante me një rritje prej 2 mijë tonë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 1% më shumë. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet. Dy janë faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës në vend. I pari është faktori ndërkombëtar, pra rritja e kuotimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare dhe faktori i dytë është niveli i akcizës dhe taksat e tjera që duhet të paguajnë importuesit e karburanteve.