E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shuhen" shpresat e Aldo Bares për liri

Pasi Gjykata e Lartë u shpreh dje kundër Alfred Shkurtit, avokati tha se çështja do shkojë në Kushtetuese dhe Strasburg


TIRANË- Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë rekursin e bërë nga i pandehuri Aldo Bare me ndihmën e avokatit të tij Vladimir Meçi për shuarjen e masës së sigurisë për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit.


Ky lajm konfirmohet nga faqja zyrtare e internetit të këtij institucioni dhe nga vetë avokati mbrojtës i të pandehurit, i cili shtoi se me zbardhjen e vendimit do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.


Sipas burimeve zyrtare të Gjykatës së Lartë, vendimi i mospranimit të rekursit ende nuk është zbardhur, por kërkesa e Bares për shuarje të masës së sigurisë dhe ajo e shpalljes të pavlefshëm të procesverbalit të seancës gjyqësore të verifikimit të masës së sigurisë të mos shqyrtohen. Sipas vendimit, ky mos pranim ka të bëjë me marrjen dhe zbatimi i procedurave të tilla është bërë në zbatim të ligjit.


Pas këtij vendimi, avokati Meçi i pyetur nga "Shekulli" u shpreh se çështjen do ta ankimojë deri në Strasburg. "Kam marrë dijeni që është vendosur mos pranimi i rekursit, por, nuk kam marrë ende një kopje të këtij vendimi. Sapo ta marr vendimin do t'i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për shkeljen e të drejtave themelore të garantuar me Kushtetutë që i bëhet klientit tim.


Gjithashtu, pas konsumimit të të gjitha dyerve të autoritetit gjyqësor në Shqipëri do t'i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut për shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut të garantuar edhe me Konventë"-tha avokat Meçi.


Gjithashtu, pak ditë më parë kanë qenë komisionarët e Avokatit të Popullit të cilët pasi vizituan të pandehurin Aldo Bare ne qelitë e paraburgimit "Jordan Misja" shprehën shqetësimin e tyre për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore.


Ndërkohë, në seancën e fundit gjyqësore i pandehuri Bare me ndihmën e avokatit mbrojtës i ka kërkuar togave të zeza gjykimin e tij me procedura të posaçme apo njohur ndryshe në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Ndaj Bares rëndojnë një sërë akuzash të rënda penale, që nga krijimi i bandës së armatosur, vrasje, plagosje etj etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›