E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e çmimit të naftës, në rrezik rritja ekonomike

07/02/2011  150 milionë euro

Dëmi nga mungesa e rregullimit të tregut të karburanteve për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare në tërësi është mbi 150 milionë euro në vit

1 miliard euro

Tregu i karburanteve është tregu më i madh në Shqipëri që ka një qarkullim vjetor 850 milionë deri në 1 miliard euro. Ky treg ndikon qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik

Konfindustria ripërsërit kërkesën për ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve

Ngritja e një Enti Rregullator për Karburantet po bëhet një domosdoshmëri në treg, sidomos me rritjen e shpejtë të çmimit të naftës dhe gazit muajt e fundit. Ky është një prej shqetësimeve të ripërsëritura të Konfindustrisë, e cila nëpërmjet administratorit të saj Gjergj Buxhuku ka theksuar se kjo situatë rrezikon seriozisht pritshmëritë e parashikuara në buxhetin e shtetit në vitin 2011 për rritje ekonomike prej 5.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Industritë vendore të prodhimit dhe shërbimeve në kushtet e mësipërme parashikohen të jenë sektorët më të prekur të ekonomisë kombëtare”, – shprehet Buxhuku. Një nga shkaqet kryesore për përfundimin e mësipërm është rënia e aftësisë konkurruese të ekonomisë prodhuese të vendit krahasimisht konkurrentëve tanë tregtare në rajon dhe më gjerë si pasojë e ndikimit të mungesës së plotë të kontrollit të tregut të karburanteve jo vetëm në “çmim”, por mbi të gjitha në “cilësinë” e karburanteve. “Të marra në tërësi, pasojat e ardhura nga mungesa e rregullimit të tregut të karburanteve shkaktojnë rritje kostosh krejtësisht të paarsyeshme për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare në tërësi në shifra, që tejkalojnë 150 milionë euro në vit. Shifrat e mësipërme nuk përfshijnë pasojat në makineri, pajisje, mjedis dhe shëndetësi, që shkaktohen nga cilësia e karburanteve në qarkullim në tregun shqiptar, që në tërësinë e tyre shumëfishojnë humbjet ekonomike për biznesin dhe qytetarët. Tregu i karburanteve në Shqipëri është tregu më i madh në vend me një qarkullim vjetor 850 milionë - 1 miliard euro/vit dhe me ndikim të fuqishëm në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik tërësor”, – thekson Buxhuku. Konfindustria, në mënyrë të përsëritur ka kërkuar pranë qeverisë dhe vendimmarrjes politike në tërësi, të ndërhyjnë për të përmirësuar sa më shpejt funksionimin e tregut strategjik të karburanteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›