Rritja ekonomike, e kushtëzuar nga statusi
• Rritja ekonomike në Kosovë deri në 2007-ën ka qenë e kushtëzuar nga ndikimi i statusit. Kështu është shprehur gjatë konferencës me temë "Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Kosovë", deputeti Arben Malaj.Sipas tij, inflacioni është në nivele të ulëta. Por sipas tij, në Kosovë vihet re se ka shkallë të lartë papunësie dhe niveli i ekonomisë informale është i lartë. Ndërkohë sipas deputetes Meksi, Kosova ka rezerva të mëdha të linjitit gati 14 bilion tonë. Sipas një studimi të bërë nga Banka Botërore, ajo mund të prodhojë deri në 4000 Mw të gjenerimit të kapacitetit të energjisë. Një tjetër sektor goxha i rëndësishëm për ekonominë kosovare është bujqësia. Por pavarësisht këtyre pasurive natyrore që ka Kosova, ajo përsëri ka mbulimin eksport/import më të ulëtin në botë. Serbia, Italia dhe Shqipëria kanë qenë destinacionet kryesore të eksporteve të Kosovës. Ndërsa Maqedonia, Serbia dhe Gjermania kanë qenë burimi parësor i importeve.