Thaçi: Koshtunica si Millosheviç
• Dy ish-drejtuesit e qeverisë serbe Millosheviç dhe Koshtunica kanë shumë gjëra të përbashkëta mes tyre, të dy ata e quanin Kosovën pjesë të Serbisë dhe nuk kanë pranuar kurrë pavarësisë e saj. Por me shpalljen e pavarësisë së Kosovës Koshtunica është larguar nga posti i tij, duke marrë me vetë dhe të gjithë të kaluarën e hidhur serbe. Kreu i qeverisë kosovare, Hashim Thaçi ka përuruar dje një tabelë që shënon vijën kufitare me Serbinë dhe i bëri thirrje Beogradit të njohë Kosovën. Duke komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike serbe pas paralajmërimit të rënies së qeverisë së Beogradit dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kryeministri Thaçi tha se, zhvillimet e rëndësishme në Kosovë gjithmonë kanë ushtruar ndikimin e tyre edhe në zhvillimet në Serbi. "Edhe në vitin 1999 kur e kemi larguar ushtrinë, policinë dhe administratën e Serbisë nga Kosova, ka filluar rënia e Sllobodan Millosheviçit. Edhe tani me pavarësimin e Kosovës ka rënë edhe Koshtunica, thjesht ka rënë e kaluara, mentaliteti i së kaluarës në Serbi. Duam të besojmë se do të jetë kështu", tha kryeministri Thaçi. Ai theksoi se, zhvillimet historike në Kosovë kanë ndikuar gjithmonë në procesin e demokratizimit të Serbisë. Ndërkohë situata politike në Serbi është shumë e nderë. Zgjedhjet priten t´i japin zgjidhje grindjes disa javësh mbi kursin e politikës së jashtme të qeverisë. Në një deklaratë për mediat presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, është shprehur se është dakord me kërkesën e qeverisë për zgjedhje të jashtëzakonshme në Serbi. Ndërsa kryeministri Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se, do të kërkojë zyrtarisht që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 11 maj, kur mbahen edhe zgjedhjet lokale. "Qeveria e Serbisë më nuk ka një politikë të përbashkët lidhur me një prej çështjeve më të rëndësishme për ardhmërinë e vendit, më konkretisht, që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. Një qeveri pa unitet, natyrisht që nuk mund të funksionojë. Prandaj kam vendosur që mandatin t'ia kthejë popullit", theksoi Koshtunica. Mosmarrëveshjet me Partinë Demokratike të presidentit Tadiç, kanë shkallëzuar pas kërkesës së radikalëve që Parlamenti ta miratojë një rezolutë, me të cilën integrimet evropiane kushtëzohen me njohjen prej BE të tërësisë territoriale të Serbisë, së bashku me Kosovën. Koshtunica e ka mbështetur këtë kërkesë, ndërsa Tadiç është shprehur kundër.