E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrogozhine vret te fejuaren shtatzane dhe veten

Një 22-vjecare në muajin e tretë të shtatzanisë është vrarë nga i fejuari i saj, i cili më pas ka vrarë edhe veten me të njëjtën armë. 27-vjecari Kreshnik Selmani ka qenë në shtëpinë e të fejuarës së tij kur mes tyre ka nisur një debat verbal që ka degjeneruar në përdorimin e armës. Selmani ka qëlluar për vdekje të fejuarën e tij dhe më pas – mesa duket në kushtet e një tronditjeje të fortë – ka shkrehur armën edhe ndaj vetes.

I riu në vazhdimësi i kishte kërkuar 22-vjecares Marsida Hoxha të abortonte fëmijën, përndryshe do të ndahej prej saj. Refuzimi i 22-vjecares ka qenë edhe shkaku i tragjedisë së sotme. Cifti Kreshnik Selmani dhe Marsida Hoxha ishin fejuar prej 7 muajsh dhe konfliktet mes tyre kishin lindur pas lajmit për shtatzaninë e vajzës. Sipas policisë, Kreshnik Selmani ka qenë i dënuar më parë për trafik narkotikësh. Familjarët e viktimës ndërkohë thonë se njohja mes dy të rinjve ka ndodhur pikërisht në kohën kur Selmani ndodhej në burg, i dënuar për trafik droge.

Shërbimet e policisë në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Kavajës, po punojnë për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Në pyetje po merren familjarët e dy viktimave, por dhe persona të tjerë që mund të dokumentojnë plotësisht arsyet e këtij krimit.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›