E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga “Kukës-Morinë”, 15 punëtorë në grevë urie

Pretendojnë se firma që po ndërton urat në këtë segment nuk ka plotësuar kërkesat e kontratës.

Kukës – Disa punëtore të një firme ndërtuese në rrugën “Rrëshen-Kalimash” janë hedhur në grevë. Sipas burimeve, ata pretendojnë se firma maqedonase “Granit", e cila po ndërton urat në segmentin “Kukës-Morinë”, nuk ka plotësuar kërkesat e kontratës. Duke ndjekur nga afër situatën e krijuar policia e Kukësit ka ndërhyrë për të shmangur konfrontimin mes punëtorëve dhe administratorëve të firmës.
Ngjarja
Pesëmbëdhjetë punëtorë të firmës maqedonase “Granit”, e cila po ndërton urat në segmentin “Kukës-Morinë”, pjesë e autostradës “Durrës-Kukës- Morinë”, kanë hyrë dje në grevë urie. Ata pretendojnë se nuk janë respektuar pikat e kontratës së nënshkruar mes tyre dhe firmës. Disa nga kërkesat e punonjësve janë pagesa e orëve shtesë, pagesa e ushqimit si dhe vënia në dispozicion të mjeteve për transportin e tyre. Kërkesat janë parashtruar që prej 6 muajsh dhe punëtorët thonë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga drejtuesit e firmë “Granit”. Ata kanë filluar grevën e urisë në ambientet e kampit të firmës, e cila ndodhet në komunën Tërthorë të Kukësit dhe shprehen se do vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Punëtorët kanë paralajmëruar se së shpejti do të përkrahen edhe nga 40 punëtorë të tjerë. Policia e Kukësit ka ndërhyrë për të shmangur çdo konfrontim të mundshëm mes grevistëve dhe drejtuesve të firmës.
Rastet
Në fund të vitit të kaluar ishin metalurgët e Uzinës së Ferrokromit ata që kërcënuan me grevë urie nëse nuk do të përmbusheshin kërkesat e tyre. Ata kërkonin të merrni pagat e 3 muajve si dhe të rifillonin punën. Ishin plot 110 metalurgë që i dërguan një peticion kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ku deklaronin kërkesat e tyre, të cilat nëse nuk plotësoheshin, do të zhvillonin një grevë urie në zyrat e “ACR”. Dy ishin kërkesat kryesore të 110 metalurgëve të uzinës së Ferrokromit në qytetin e Burrelit. Ata kërkonin rifillimin e punës pas disa muaj ndërprerjeje nga firma italiane që e kishte marrë në administrim uzinën e nënkontraktuar nga ruso-austriakja “ACR”, si dhe tu jepeshin pagat e 3 muajve, një mungesë kjo që ka futur në vështirësi jetesën e familjeve të metalurgëve.

Aparati i mamografisë nuk punon prej 3 muajsh, pacientet në mëshirë të fatit

VLORË- Kanë kaluar më shumë se tre muaj që aparatura e mamografisë në poliklinikën e Vlorës ka dalë jashtë funksionit. Janë të shumta gratë që vijnë për t’u ekzaminuar, por edhe për t’u informuar se kur do të rivihet në punë, por deri tani duket se nuk ka asnjë dritë jeshile. Pajisja ekzaminuese e mamografisë, e vendosur në poliklinikën e qyteti të Vlorës, është falas dhe që prej muajit nëntor është jashtë funksionit. Duke bërë që shumë gra për shkaqe ekonomike të mos ekzaminohen diku tjetër për tumoret që mund të mbartin. Mjeku radiolog pohon se prej disa kohësh ai nuk ka kryer asnjë vizitë për shkak të bllokimit të kësaj aparature si dhe mungesës së filmave. Gjithashtu mjeku radiolog shton se gjatë ekzaminimeve ka pasur me qindra raste të paraqitura, ai shton se kësaj pajisje për rifillimin e funksionimit i shërbejnë shumë pak gjëra për t’ju ardhur në ndihmë të gjitha grave në nevojë për diagnostikimin e kancerit.
e

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›