Rruga e Arbrit prek varret shekullore, reagojnë banorët
• Punimet e nisura prej 1 muaji në Rrugën e Arbrit ngecin në varrezat shekullore të fshatit Krajkë në Bulqizë.BULQIZE/ ENVER DOÇIMjetet e firmës së ndërtimit po punojnë në lotin e parë të rrugës, nga ura e qytetit Bulqizë tek ura e Çerenecit. Fillimisht dolën probleme sepse 7 familje të fshatit Fushë Bulqizë, të cilave rruga u dëmtonte pronat kundërshtuan zbatimin e projektit. Ndërkohë dje banorët e fshatit Krajkë, në komunën e Gjoricës kanë kundërshtuar zbatimin e projektit dhe kanë penguar vazhdimin e punimeve, pasi projekti i trasesë së rrugës kalon mbi varret shekullore të fshatit. Banorët kanë kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe qeveria të mundësojnë shmangien e rrugës nga varrezat ose transferimin e tyre në një vend tjetër, duke mos i dëmtuar ato, pasi janë mjaft të hershme. Njëri nga banorët e fshatit, 78-vjeçari Halim Mera rrëfen historinë e varreve dhe apelon për ndaljen e punimeve mbi to.Sa vjeçare janë varret ku është menduar të kalojë Rruga e Arbërit?Në këtë zonë ndodhen shumë varre. Gjysma e tyre janë të fisit tonë, të disa brezave. Unë e kam me të dëgjuar, por varret e “reja” siç ne i quajmë janë mbi 200-vjeçare. Edhe vitet e fundit ne kemi varrosur njerëzit tonë në këto varreza. Eshtë një vend i mirë dhe askush nuk ka të drejtë ta dëmtojë pyllin, ku janë vendosur varrezat. Vetëm në raste fatkeqësisht mund të marrësh dru zjarri në këtë vakëf. Kushdo tjetër që ka prekur mbi këtë vend të shenjtë ka pasur probleme. Gjysma tjetër e varrezave është mjaft e hershme. Unë nuk kam aftësi të tregoj sa vjeçare janë, por gjyshi më ka treguar se ato janë varre të krijuara në kohën e pushtimit të kësaj treve nga Turqia. Thuhet se ato janë varre katolikësh dhe myslimanësh. Që janë të kohës së Turqisë e tregojnë dhe mbishkrimet mbi gurët e varreve. Megjithëse vitet dhe agjentët atmosferikë kanë bërë të tyren, këto janë varre shumë të hershme dhe nuk është e drejtë të dëmtohen.Kur e mësuat se pikërisht mbi këto varreza do të kalonte rruga që lidh Tiranën me Dibrën e Madhe?Disa ditë më parë dalluam punëtorë të firmave të ndërtimit teksa prisnin lisat shekullorë dhe të rinj. Ngulnin piketa dhe bënin matje nga ku do të kalonte traseja e Rrugës së Arbrit. Ne nuk patëm mundësi të reagonim, por kryetari i fshatit dhe kryetari i komunës morën parasysh ankesat tona se nuk është e drejtë të ndërtohet rruga mbi varret e të parëve. Reagimi ynë është marrë parasysh përderisa punimet këtu janë pezulluar deri në zgjidhjen e këtij shqetësimi serioz.Jeni të informuar sesi do të veprohet?Drejtuesit e komunës na kanë sqaruar se nuk do të punohet mbi varre. Eshtë informuar Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe pritet që ajo të ndërhyjë për ndryshimin e projektit. As varret e fisit tonë dhe as të hershmet nuk duhen dëmtuar. Eshtë më e drejtë të devijojë projekti i ndërtimit të rrugës sesa të dëmtohen varret. Shpresojmë se zgjidhja do të jetë e drejtë që ne të mos protestojmë për këtë çështje.