Zona historike, një projekt për shmangien e rrezikut sizmik
• GJIROKASTER - Gjeologët italianë kanë nisur zbatimin në terren të projektit transizmik, i cili ka për qëllim përgatitjen e planit të reduktimit të rrezikut sizmik të zonës qendrës të Gjirokastrës.Specialistët italianë janë duke punuar në zona të ndryshme, si ajo e Gerhotit, në periferi të qytetit dhe kështjella. Mendohet se kërkimet gjeologjike do të përfundojnë brenda pak ditësh, ndërsa gjatë mesit të muajit mars, 25 kërkues shkencorë italianë, në bashkëpunim me specialistë shqiptarë dhe studentë të universitetit “Eqrem Çabej” do të bëjnë të mundur përgatitjen e skedave me të dhëna mbi rrezikun sizmik për 1200 ndërtesa të qendrës historike, ku do të jenë të shënuara të gjitha problemet e vërejtura. “Kjo do t’i shërbejë më tej edhe krijimit të Planit të Përgjithshëm Rregullues të qytetit të gurtë”, është shprehur për gazetën “Panorama” drejtuesi italian, arkitekti Fabrizio Torresi. Sipas tij, studimi sizmiologjik i qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës pritet të përfundojë në muajin qershor. Ky projekt vjen si një bashkëpunim ndërmjet bashkisë së Grotamares (Itali), financuar nga Interreg dhe bashkisë së Gjirokastrës, financuar nga programi CARDS në vlerën e 50 mijë eurove dhe zë fill pas planit të rikuperimit të qendrës historike. Ky projekt është zbatuar gjithashtu nga ekspertë italianë. Sipas specialistëve, qendra historike e Gjirokastrës me ndërtesat e larta, të cilat ndodhen në gjendje të mjerueshme si dhe rrugët shumë të ngushta, që përbëjnë një rrezik serioz për jetën e banorëve, sollën si domosdoshmëri hartimin e këtij projekti. Me nëntë bashkëpunëtorë shqiptarë dhe katër italianë, projekti transizmik ka si synim përgatitjen e planit të reduktimit të rrezikut sizmik të qendrës historike, por sjell si risi bashkëpunimin e njëkohshëm me dy financime të bashkërenduara. p.n