Rruga e Kombit tërësisht e ngrirë, qindra telefonata për ndihmë nga banorë të bllokuar
Rruga e Kombit është thuajse e pakalueshme, e ngrirë në sipërfaqen më të madhe të saj dhe e bllokuar nga bora në segmente të ndryshme.
Në kundërshti të plotë me atë që raportohet zyrtarisht, jo vetëm rruga e kombit, por thuajse i gjithë veriu është i bllokuar dhe ka mungesa të mëdha në ushqime e medikamente.
Ditën e djeshme qeveria lajmëroi se për rreth dy orë do bllokohej një pjesë e Rrugës së Kombit, nga Fushë Dukagjini deri në Tunelin e Thirrës. Kjo pjesë është jashtëzakonisht e rrezikshme për shkak jo vetëm të borës së madhe, por edhe për faktin se kthesat e saj e bëjnë shumë të rrezikshme. Edhe në kushtet kur ka pak dëborë, aty krijohet akull dhe rreziku i aksidenteve është shumë i madh.
Por edhe pse e ka bllokuar këtë aks për më shumë se dy orë, mësohet se nuk është bërë e mundur pastrimi pasi shtresa e dëborës ka qenë shumë e madhe. Për shkak se nuk është pastruar që në reshjet e para, dëbora ka zënë dëborën e mëparshme dhe ka krijuar shtresa të akullit që nuk hiqen dot. Lëvizja në këtë aks është shumë e vështirë, edhe pse kjo rrugë u ka kushtuar xhepave të shqiptarëve rreth 1.5 miliard euro.
Qindra telefonata mbërrijnë ndërkohë në numrat telefonikë të mediave nga banorë të rrethuar nga bora që gjenden pa ndihmë dhe pa mundësi lëvizjeje. Zonat me më shumë thirrje për ndihmë jane Puka, Kukësi, Dukagjini dhe Hasi, ku njerëzit kanë rreth 3 javë të bllokuar nga bora që në disa zona ka arritur deri në 4 metra.