E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga mbi varreza protestojne banoret e Vranishtit

Ndërpriten punimet për ndërtimin e rrugës nacionale Kukës-Krumë. Shkak për këtë janë bërë protestat e dhjetëra banorëve të fshatit Vranisht, të cilëve rruga u prish varrezat e tyre. Ata kanë penguar që në orët e para të mëngjesit mjetet që punonin për hapjen e trasesë në segmentin Vranisht-Fajza, pasi kompania që ka marrë përsipër ndërtmimin e rrugës së re ka ndërhyrë në varrezat e fshatit pa lejen e banorëve si dhe pa bërë të ditur gjurmën se ku do të kalojë e rruga. Banorët kanë kërkuar që rruga të devijohet, ose eshtrat e të afërmve të tyre të zhvarrosen dhe të varrosen më pas në një tjetër parcelë.

“Këtu kanë hyrë dhe kanë nxjerrë me fadromë. Nuk kanë zhvarrosur askënd, vetëm kanë hyrë e kanë punuar kush ka mundur. Nuk ka pasur plan. Ne duhet t’i mbrojmë varrezat”, thotë një banor i zonës.

“Varrezat kanë qenë prej shumë kohësh këtu. S’ka pasur as avlli dhe as shtëpi, ndërsa varrezat kanë qenë. Nuk jam kundër rrugës, por nuk mendoj se ka inxhinier që do të prishte varrezat”, thotë një tjetër banor.

“Nga këtu, kanë dalë atje dhe kanë vendosur të prishin varrezat. U thashë që mund të prishnin çdo gjë rrugë, lokal, por jo varrezat. Unë kam njerëzit e shtëpisë time aty”, shprehet një tjetër banor.

Lidhur me këtë problem, mjaft të mprehtë për banorët e këtij fshati, prefekti i Qarkut të Kukësit Elmaz Maci tha se ka biseduar me kompaninë që po ndërton rrugën dhe për momentin këto punime janë ndërprerë. Megjithatë, do të komunikohet me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për të ballafaquar projektin e hartuar me atë që po zbatohet e më pas do të vendoset për vazhdimin e punimeve. Ndërtimi i kësaj rruge do të përgjysmonte kohën e udhëtimit të banorëve të zonës drejt Hasit.

Flutura Tota    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›