E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët me koncesion,qeveria në udhëkryq

Qeveria parashikon të ndryshojë skemën e financimit për ndërtimin e rrugëve. Format e deritanishme, nga buxheti i shtetit apo me kredi nga bankat, nuk paraqiten të lehta për t‘u zbatuar, nisur nga presioni i krizës ekonomike. Aktualisht vërehet një rënie e të ardhurave dhe shtrëngim i kushteve për të marrë kredi. E ndodhur në këtë situatë, qeveria po shikon seriozisht skemën e ndërtimit të rrugëve me koncesion. Themi seriozisht, pasi për disa vite rresht, janë miratuar disa projekte koncesionare rrugësh, por asnjëra nuk mori zgjidhjen finale. Në katër vite qeverisjeje, Kryeministri dhe kabineti i tij kanë folur shumë për ndërtim rrugësh, ngritje korridoresh, kalime nga njëri skaj në tjetrin, por i gjithë arsenali financiar shkoi vetëm për një aks, duke lënë pezull të tjerat. Gazeta mëson faktin se pranë tryezës së kreut të qeverisë, Sali Berisha, kanë mbërritur propozime dhe projekte konkrete nga kompani të huaja, të cilat kanë më interes të marrin me koncesion rrugët kryesore të vendit. Në plan të parë qëndron e famshmja Tiranë-Elbasan, për të cilën Ministria e Punëve Publike thotë se kanë përfunduar të gjitha modalitetet, përfshi projektin dhe financimin. Tjetër aks i rëndësishëm që qëndron në pritje prej pesë vjetësh është Thumanë-Vorë-Rrogozhinë. Ndërtimi i kësaj rruge lidh në formë diagonale pjesën e Veriut me Jugun e vendit dhe lehtëson trafikun, i cili rëndohet pikërisht në kryqëzimin e Plepave në Durrës. Zyrtarë nga Ministria e Punëve Publike sqarojnë se për të dyja këto projekte kanë përfunduar të gjitha procedurat. "Shumë kompani kanë paraqitur interes. Të tjerë investitorë janë kualifikuar në fazat paraprake. Studimet janë gati, projektet dhe të gjitha procedurat", shprehet zyrtarisht ministria. Në këtë pikë, Dikasteri i Transporteve në vend pret vetëm firmën e Kryeministrit Berisha, i cili këto ditë është marrë me formimin e qeverisë.
Plani i ri
Në kohë krize, kur paratë mungojnë dhe bankat kanë rritur çmimin, ndërtimi i rrugëve me koncesion shihet me leverdi për palën shqiptare. Ajo që mbetet e turbullt është shërbimi që do të ofrojë kompania e huaj, e cila, pasi ta ketë ndërtuar me paratë e veta, i lind e drejta të vendosë tarifë, në varësi të trafikut. Ministria e Punëve Publike sqaron gjithashtu se shanset që Rruga e Arbrit të jepet me koncesion janë të pakta, për vet faktin se punimet kanë nisur me paratë e buxhetit të shtetit. Deri tani, të paktën sa shikohet në publik, në garë të fortë ka hyrë një kompani turke. Nuk bëhet fjalë për "Enka"-n e Rrëshen-Kalimashit, por për "TAT Group", e cila, në takimin e zhvilluar në gusht me Kryeministrin shqiptar shprehu interes për të ndërtuar rrugën Tiranë-Elbasan dhe Rrugën e Arbrit.
Kostot
Një studim i bërë nga kompani private del në përfundimin se rruga Tiranë-Kërrabë-Elbasan kërkon të paktën 160 milionë euro investim, duke llogaritur edhe tunele brenda, si dhe shkurtimin e 25 kilometrave rrugë. Sa i takon Rrugës së Arbrit (Tiranë-Bulqizë), rreth 70 kilometra e gjatë, mund të kushtojë mbi 90 milionë euro. Ndërtimi i saj përgjysmon gati me 60 kilometra rrugën, ndërsa lidh zona të largëta me qendrën, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të një pjese të vendit. Aksi i tretë, për të cilën MPPTT-ja i ka bërë gati të gjitha letrat, Thumanë-Rrogozhinë, mendohet të jetë i gjatë 60 kilometra. Investitorët e huaj kanë ofruar 70 milionë euro për të bërë përfundimin e rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›