Viti shkollor, në 30 shkolla nevojitet rikonstruksioni
Do të nisi sërish me probleme viti i ri shkollor në rrethin e Beratit. Stafi pedagogjik dhe nxënësit e shumë shkollave do tu duhet të përballen me problemet që vijnë si pasojë e infrastrukturës, shumë prej të cilave ndodhen ende në gjendje skandaloze. Dy shkolla në këtë rreth nuk do ti hapin dyert për të pritur nxënësit për këtë vit të ri shkollor, pasi nevojitet ndërtimi nga fillimi, ndërkohë që plotë 30 të tjera kërkojnë ndërhyrje të pjesshme. Paradoksi qëndron në faktin se dhe pse fondet janë akorduar për ndërtimin e tyre vonesat në procedurat ka bërë që ndërtimi të mos filloj ende. Shkolla fillore e lagjes "Kala" në Berat që si për ironi të fatit ndodhet në një nga lagjet më të rëndësishme të qytetit nuk do të hapet për këtë vit të ri shkollor, pasi godina e saj është krejtësisht e shkatërruar. Kreu i Drejtorisë Arsimore në këtë qytet, Hyzedin Hima duke folur për problemet e godinave në shkolla ku ende dhe pak ditë na ndajnë nga nisja e vitit të ri mësimor shprehet se shkolla e lagjes "Kala" kërkon një ndërtim të krejt godinës, për vetë kushtet në të cilat ndodhet godina ekzistuese. Për mos vënë në rrezik shëndetin e fëmijëve kjo drejtori ka vendosur që dhe këtë vit të ri shkollor ashtu si vitin e kaluar nxënësit e kësaj lagje të mësojnë në shkolla të tjera të qytetit. Me të njëjtin problem do të përballen dhe nxënësit e shkollës nëntë vjeccare dhe të mesme në fshatin Hingë të komunës Poshnjë në këtë rreth. Godina e shkollës së tyre krejtësisht e amortizuar detyroi Drejtorin Arsimore të urdhëroj zhvendosjen e zhvillimit të mësimit në një ish stallë, ku dhe për këtë vit të ri mësimor duket se do të shërbejë si shkollë. Në lidhje me gjendjen e godinave në shkollat e këtij rrethi kreu i arsimit Hima sqaron se plotë 30 prej tyre kërkojnë ndërhyrje pasi kanë probleme të mëdha që nga mungesa e banjave, mungesa e dyerve dhe dritareve, xhamave, bazës materiale, etj. Ndërkohë që për dy godina kërkohet ndërhyrje për ndërtimin që nga themelet. Në lidhje me masat që ka marrë kjo drejtori për përmirësimin e gjendjes së tyre Hima shprehet se është monitoruar gjendja fizike e të gjitha shkollave dhe sipas nevojave për secilën prej tyre janë paraqitur pranë ministrisë përkatëse kërkesa për fonde. Sipas Himës, në shumë komuna madje dhe bashkinë Berat është mundësuar thithja e fondeve për këto shkolla, por vonesa e paraqitjes dokumentacioneve ka bërë që të mos kryen në kohën e duhur procedurat e tenderimit dhe kjo sjell dhe vonesën në fillimin e ndërtimit për rikonstruksionin e godinave. Ndërsa vendorët pohojnë se çelja e fondeve wshtw e vonuar dhe koha e prokurimeve ka qenë mjaft e shkurtër madje një pjesë e mirë kanë qenë dhe me pushime gjë që kanë bërë të vonoheshin përfundimi i procesit të tenderave.