E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve promovohen në Tiranë

Akademiku Esat Stavileci promovoi dje dy librat e tij Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve dhe Shteti, shqyrtime të përgjithshme teorike, me vështrim rasti i Kosovës. Autori i librave akademiku Esat Stavileci gjatë promovimit theksoi se Pavarësia e Kosovës nuk mund të festohet pa përmendur dhe vështirësitë që janë hasur. Për të bërë bilancet e një viti duhet të kemi parasysh se prej kohës së pranisë të ndërkombëtarëve në Kosovë, Kosova kaloi nëpër disa faza. Faza e parë, është ajo e intervenimit dhe vendosjes së saj në shok-dhomë. Faza e dytë, është ajo e kurimit intensiv të saj. Dhe e treta, është faza ku fillon gradualisht aktiviteti i saj vetiak. Kosova sërish ka nevojë për mjekët derisa shqiptarët të bëhen një, u shpreh Stavaleci. Qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, sipas akademikut kosovar duhet të bëhen një trup i vetëm, pasi ata janë të bashkuar nëpërmjet tre gj -ve, gjakut, gjuhës dhe gjeografisë. Esat Stavileci lindi më 11 korrik 1942 në Gjakovë, ku edhe përfundoi shkollën fillore dhe atë të mesme. U diplomua në drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës më 2 korrik 1965. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit, ndërsa studimet e së drejtës së krahasuar në Fakultetin ndërkombëtar të Strasburgut në Francë, ku mori Diplomën e studimeve të larta të së drejtës së krahasuar, pasi kishte ndjekur katër semestra universitare në fushën e së drejtës ndërkombëtare në Francë, Itali, Holandë dhe në Venezuelë. Mbrojti me sukses doktoraturën në shkenca juridike në Fakultetin juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Është laureat i Shpërblimit të Dhjetorit të Kosovës për vitin 1978. Profesor ordinar është që nga viti 1979. Është anëtar-korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ka botuar shumë artikuj, monografi e studime. Merret me probleme të terminologjisë juridike. Ndër to mund të përmenden disa botime si Kosova, Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, Përgjegjësia politike e titullarëve publikë dhe vetëqeverisjes, Theksime nga 1000 prononcime, etj.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›