E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugëtimi i Serbisë drejt BE kalon nga Prishtina

29-03-2011 / Nga Ilirian Dahri

Duket i afërt 22 dhjetori kur  presidenti serb Boris Tadiç  paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian dhe ndërkaq si anëtare e Këshillit të Europës kishte shprehur edhe dëshirën për të aderuar në programin “Partneriteti për Paqe” i Nato-s.
Ndërsa në shtator 2007, Serbia dhe Bashkimi Europian kanë përfunduar bisedimet mbi tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, që konsiderohet hapi i parë drejt integrimit europian. Marrëveshje kjo e firmosur (pas bisedimesh të gjata më 29 prill 2008). Aplikimi i marrëveshjes përmbante  kushtin që Serbia të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës dhe në veçanti me arrestimin e të kërkuarve për krime lufte ku spikasin emrat e serbo boshnjakut Ratko Mladiç dhe të liderit të Republikës serbe të Krajinës Goran Hadziç.
Më 30 nëntor 2009 BE ka zyrtarizuar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Serbisë të pajisur me pasaportë biometrike të cilët mund të lëvizin lirisht  në vendet e Shengenit. Ndërsa më 25 tetor 2010, në mbledhjen e Ministrave të Punëve të Jashtme që u mbajt në Luksemburg u zhbllokua zyrtarisht kërkesa për anëtarësim por me paktin që Serbia të ndjekë me përkushtim rrugën  e saj për të dorëzuar të kërkuarit për krime lufte. Themeluesit e BE ndërkaq kanë pasur dyshimet e tyre për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian. Nga njëra anë, Italia nëpërmjet Ministrit të saj të Jashtëm Franco Fratini këshillonte Serbinë që të ecte përpara me kërkesën e anëtarësimit ndërsa nga ana tjetër Gjermania ishte kundër frenimit të këtij procesi lidhur edhe me gjendjen e saj të brendshme. Ndonjë burim diplomatik thekson se në Europë nuk llogaritet kush është nga ana jote por kush është kundër teje dhe Gjermania në këtë kontekst ka marrë një pozicion kundër zgjerimit.
Por problemi kryesor  për anëtarësimin e plotë të Serbisë ne Bashkim Europian është Kosova. Serbia vazhdon të insistojë në mosnjohjen e shtetit të ri të Kosovës. Është e pamundur që Serbia ti afrohet Bashkimit Europian nëse vazhdon të ketë marrëdhënie të tensionuara me Kosovën. Serbia duhet të gjejë mënyrën për të pasur marrëdhënie miqësore me shtetin fqinj të Kosovës. Brukseli nuk ka parë me sy të mirë thirrjet që Serbia i bënte Serbëve të Kosovës për mos të marrë pjesë në zgjedhjet e fundit. Kjo ishte një prej gafave të zyrtarëve të Republikës së Serbisë.
Gafat serbe janë vënë akoma dhe më në dukje nga Ministri Jeremiç i cili para disa kohësh do të deklaronte në Bruksel se Parlamenti Europian na do kaq shumë saqë ka vëne në dispozicion dy relatorë për Serbinë, një për Serbinë dhe një për provincën e Kosovës duke lënë pa fjalë shumë prej euro-deputetëve. Për më tepër, Jeremiç, ka shfaqur sipas euro-deputetëve edhe ndjenja egoiste duke “këshilluar” Bashkimin Europian që mos të përziente kandidaturën e Serbisë me atë të Turqisë duke u akuzuar sakaq edhe për presionet që bënte mbi euro-deputetët që liberalizimi i vizave të përfshinte vetëm Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë duke mos marrë në konsideratë Bosnjen dhe Shqipërinë.
Gafat dhe gabimet e zyrtarit serb Jeremic nuk do të ishin të izoluara.
Pak muaj më vonë pas përleshjeve të dhunshme përgjatë manifestimit të “gay pride” të zhvilluar ne Beograd dhuna serbe do të shpërngulej në qytetin e Xhenovas në Itali si për të treguar se Serbët ishin të zotët  të eksportonin  dhunën e tyre edhe jashtë kufijve të Serbisë.
Sipas shtypit italian të atyre ditëve,  disa të pranishëm, të mbledhur në një konferencë për miqësinë italo-serbe, kujtojnë se pikërisht pak çaste më përpara se të fillonte ndeshja e futbollit midis Italisë dhe Serbisë ambasadorja e Serbisë në Itali, Sanda Raskovic Ivic po kujtonte se “italianët kanë qenë të parët që na kanë mbështetur” duke vazhduar se “duam t’i falenderojmë të gjithë për mbështetjen” ndërsa të gjithë të ftuarit në sallën e konferencës po ndiqnin të tulatur dhe të frikësuar imazhet e tifozëve serbë që digjnin gjithëka në stadiumin e Xhenovës.
Ishin një rastësi përleshjet në Beograd dhe më pas ato të kryera ne Itali?
Kjo është vdekja e Serbisë - do të deklaronte një zyrtar i Serbise, duke vazhduar se sipas tij një  pjesë e popullsisë po vlonte se nuk ishte dakort me shkëputjen e Kosovës.
Ç’lidhje mund të kishte  Kosova dhe Shqipëria me një ndeshje futbolli mes Italisë dhe Serbisë!?
Gjithsesi fantazmat filluan të shfaqeshin përsëri në Beograd.
A është me të vërtetë Beogradi i ndërgjegjshëm në rrugën e tij drejt BE –së?
Flitet se rreth 250 firma italiane, ndër të cilat spikat FIAT-i,  por edhe firmat nga  shtete të tjera të BE, firma franceze, gjermane dhe austriake që kanë investuar në Serbi përballen me me një konkurencë të forte me firmat Ruse këto të fundit të favorizuara edhe nga traktati i liberalizimit të tregtisë mes Serbisë dhe Rusisë.
Ajo që shqetëson Europën është tendenca e kahershme e Serbisë për tu mbyllur në vetvete, për të parë vetëm në të shkuarën dhe duke refuzuar të shikojë përpara drejt një të ardhme më të mirë. Duke vazhduar kështu  do të shkohej drejt një katastrofe ballkanike. Në një intervistë të dhënë për televizionin kombëtar Klan, Presidenti i Serbisë Boris Tadiç do të përsëriste shpesh se po të hiqte petkun e zyrtarit të lartë do të ishte dakord me kosovarët dhe do të kuptonte vuajtjet dhe mundin e tyre dhe se sipas tij mund të kërkohej edhe falje për këto.
A po ndryshon Serbia kundrejt Kosovës?
Tashmë Serbia duhet të pranojë se “bashkimi” me Kosovën do të vijë vetëm nën flamurin e përbashkët të Europës dhe se ata mund të jetojnë ne një territor të përbashkët por vetëm në atë europian.
Ndoshta Serbia nuk është akoma e gatshme për të pranuar këtë? Ndoshta do të duhet akoma kohë?
Është e rëndësishme të dialogohet.
Vetëm pak shtete të BE nuk e kanë njohur Kosovën, të tjerë shtete të fuqishme e kanë njohur pavarësinë e saj dhe numri i shteteve që njohin pavarësinë  është në rritje të vazhdueshme. Tashmë Kosova është shteti më i ri i Europës. Me flamurin kombëtar, me atë shtetëror, me institucionet dhe kufijtë e saj.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›