E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruajtja e kufirit, policia marrëveshje me KFOR

TIRANE - Kontrolli i vijës së gjelbërt të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe forcimi i luftës kundër kontrabandës dhe trafiqeve, ka qenë shkaku i rinovimit të një marrëveshjeje mes KFOR-it dhe Policisë shqiptare. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi dhe komandanti i KFOR-it, Gjeneral Xavier de Marnhak, kanë nënshkruar rinovimin e marrëveshjes së kontrollit të kufirit të gjelbërt mes dy vendeve. Marrëveshja teknike mbi procedurat e Përkohshme Operuese ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe KFOR-it pritet të rregullojë marrëdhëniet operacionale ndërmjet KFOR-it dhe policisë shqiptare përgjatë kufirit. Kreu i Departamentit të Kufirit, Pëllumb Nako, tha se kjo marrëveshje vlen për të kryer kontrolle dhe operacione të përbashkëta në zonën e Kukësit, Tropojës e Hasit. Sipas Nakos, KFOR-i ka mjete dhe mundësi të konsiderueshme logjistike për të kryer operacione të përbashkëta dhe kjo do të shfrytëzohet për të realizuar operacionet e përbashkëta mes tyre për parandalimin e kontrabandës dhe trafiqeve të ndryshme të ndërsjella mes dy vendeve. Komandanti i KFOR-it e vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si një tregues bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe KFOR-it, për sa i përket drejtimit të sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›