E Diel, 1 Nëntor 2026

Të harruarit në burgje, akuza dorëzon 26 kërkesa për lirim

Prokuroria është detyruar gjatë ditëve të fundit të kërkojë në Gjykatë prishjen e masave të sigurisë dhe lirimin nga burgu për mbi 20 persona, që mbahen në qeli përtej afateve ligjore. 

Trazhgim Sokolaj

Shkak për këtë është bërë zvarritja e hetimeve dhe tejkalimi i afateve ligjore të hetimit nga vetë organi i akuzës. Mbi 26 kërkesa janë dorëzuar nga Prokuroria në Gjykatë me objekt prishjen e masës së sigurisë “me burg” dhe lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar. Rreth 20 nga këto kërkesa janë bërë nga Prokuroria ndërsa gjashtë të tjera janë bërë nga vetë personat apo avokatët e tyre, pasi ata kanë përllogaritur se po mbahen në qeli përtej afateve të parashikuara nga ligji. Kërkesat janë bërë gjatë 15-ditëshit të parë të muajit gusht. Për më tepër se gjysmën e këtyre kërkesave gjykata ka dhënë miratimin e lirimit nga burgu të personave të akuzuar, ndërsa pjesa tjetër e këtyre çështjeve janë në fazën e depozitimit në gjykatë apo në fazën e shqyrtimit nga togat e zeza. Të gjithë personat e arrestuar mbahen në paraburgim deri në momentin e dhënies së dënimit nga gjykata. Në këtë fazë, i arrestuari kalon në burg dhe fillon vuajtjen e dënimit, por zgjatja e afatit të hetimeve nga Prokuroria ka lënë në paraburgim tej afateve ligjore dhjetëra të arrestuar. Në një pjesë të vogël të rasteve të akuzuarit mbahen tej afateve për shkak të vonesave të Gjykatës së Apelit, e cila zvarrit shqyrtimin e rasteve, duke lënë në burg në kapërcim të afateve personat e akuzuar.    
Burgu i paligjshëm
Sipas legjislacionit shqiptar, një ditë qëndrim në paraburgim në momentin e dhënies së dënimit llogaritet e barabartë me 1 ditë e gjysmë burg. Kjo për shkak se qëndrimi në paraburgim është më i vështirë për të arrestuar nisur nga kushtet e rënda. Për këtë shkak, koha e qëndrimit në paraburgim për çdo të akuzuar, llogaritet në momentin e dhënies së dënimit nga gjykata me 1.5 ditë burg. Personat “e harruar” në burgje për shumicën e të cilëve vetë organi i akuzës po kërkon të lirohen nga qelitë, sipas përllogaritjeve kanë qëndruar në paraburgim më tepër sesa afati i dënimit i parashikuar nga Kodi Penal për krimin që ata kanë kryer. Për shembull, një person i arrestuar për një vepër penale e cila dënohet me një vit burgim, siç janë vjedhjet, duhet të lirohet menjëherë nëse qëndron 8 muaj në paraburgim. Kjo për shkak se çdo ditë në paraburgim llogaritet si një ditë e gjysmë burg e kryer. Në këtë mënyrë, 8 muaj paraburgim llogariten me ligj si një vit dënim në burg. I arrestuari edhe nëse do të shpallej fajtor nga gjykata, nuk do të qëndronte më tepër në qeli. Në këto kushte, mbajtja në qeli e të akuzuarve konsiderohet e paligjshme, edhe pse hetimet ndaj tyre nuk kanë përfunduar. Prokuroria në këto raste është e detyruar të kërkojë lirimin e personave, pasi mbajtja e padrejtë në qeli për të dënuarit është e ndëshkueshme. E gjitha kjo duket se ndodh për shkak të zvarritjes së hetimeve nga Prokuroria. Kjo e fundit zgjat tej afateve hetimet paraprake duke lënë në paraburgim të akuzuarit të cilët kalojnë në burg, vetëm nëse dosja dërgohet në gjykatë dhe togat e zeza japin dënimin.

Rastet e kërkesave

Norgert Jaupaj
Arjan Sheti
Dhurim Vogli
Renald Tahiri
Migen Katroshi
Dritan Metani
Shpëtim Taho
Besnik Luga
Liridon Froku
Blerim Levonja
Spiro Danga
Ilir Kuka
Genc Frroku
Perparim Kalemaj
Gentjan Denjeli
Saimir Grori
Binak Pashkaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›