E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja, viktima varroset pa emër

Kur kanë kaluar rreth dy vite nga zbulimi i trupit të vajzës së masakruar në rezervuarin e Zall-Herrit në Tiranë, kufoma e saj do të varroset pa emër në territorin e Bashkisë së Tiranës. 

Dashamir Biçaku

 Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë së kryeqytetit si dhe nga Institutit i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, të konfirmuara edhe nga Prokuroria. Aktualisht kanë përfunduar të gjitha procedurat përsa i përket ekzaminimeve të nevojshme për identifikimin e kufomës dhe mbajtja e saj në ambientet e morgut nuk shikohet e nevojshme. Sipas specialistëve të Mjekësisë Ligjore, aktualisht nuk mbeten veprime të tjera ekzaminuese për t'u kryer nga ana e tyre. Gjithsesi nëse do të kërkohet nga organet hetimore, si policia dhe prokuroria për të kryer veprime të tjera, trupi i femrës së paidentifikuar mund t'i nënshtrohet ndonjë ekzaminimi  të pjesshëm. "Aktualisht pritet vetëm miratimi i organit të Prokurorisë për të kryer edhe varrimin e femrës së mbetur pa identitet, që prej datës 21 tetor të vitit 2006", pohoi për gazetën "Panorama" një burim pranë institucionit shkencor në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Përpjekjet e fundit të organeve të hetimit për të identifikuar vajzën, kanë bërë që trupi i saj të dërgohej për ekzaminime të posaçme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një prej instituteve të Patologjisë, në varësi të Departamentit Amerikan të Sigurisë. Trupi i rindërtuar nga specialistët amerikanë ndodhet në morgun e Tiranës, në një prej dhomave frigoriferike të tij. Përfundimi i ekzaminimeve, sipas mjekëve, tashmë i ka hapur rrugën funeralit të vajzës, që pritet të varroset pa emër në varrezat e Sharrës apo Tufinës, nga Bashkia e Tiranës. Foto të vajzës të portretit origjinal të saj janë mbajtur nga ekspertët dhe specialistët në morg si dhe në policinë e Tiranës, për t'i treguar nëse do të ketë persona apo familjarë të interesuar për të parë trupin. Trupi i femrës së paidentifikuar u kthye përfundimisht në Shqipëri në fund të javës së shkuar nga autoritetet amerikane të FBI-së, të cilët e kishin marrë trupin për të kryer ekzaminimet e identifikimit. Ekspertët në konkluzionet e tyre kanë pohuar se vajza është vrarë me tri goditje pas koke, që i kanë shkaktuar çarje të kockës së kokës. Po kështu është vërejtur se ajo kishte edhe dy plagë në të dy anët e kokës. Trupi i saj u gjet i masakruar dhe i hedhur në një rezervuar pranë fshatit Zall-Herr, rreth 20 km në veri të Tiranës. Vajza ishte copëtuar në disa pjesë dhe ishte hedhur në liqen, ku mendohet se kishte më tepër se dy javë që qëndronte në ujë në kohën kur është gjetur. Kufoma është pikasur nga disa fëmijë, të cilët po luanin pranë liqenit ndërsa lajmëruan policinë. Policia gjeti në mënyrë të pjesshme gjymtyrët, trungun dhe kokën, që ishin të ndarë dhe të copëtuar nga njëra-tjetra.

Të dhënat

EMRI: Nuk dihet
DITËLINDJA: Nuk dihet.
MOSHA: 18-22 vjeçe
PESHA: 66 kg
GJATËSIA: Rreth 1.63 cm
Vendi i vdekjes: Shqipëri
Vendi i kryerjes së autopsisë: Port Moruary
Autorizimi i Autopsisë: Nga konsultimet e FBI
Identifikimi: Nuk është kryer ende, është në vazhdimësi
Shkaku i vdekjes: Vrasje nga goditje në kokë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›