Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesën e opozitës
Shumica ka miratuar dje, pa praninë e opozitës, 16 nenet e para të projektligjit që kërkon një shumicë të cilësuar
Gjykata Administrative
Mazhoranca tërhiqet nga qëndrimi i saj për organizimin e drejtësisë administrative, sipas seksioneve pranë çdo gjykate rrethi dhe ka vendosur dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve që të pranojë propozimin e opozitës për të krijuar gjykata të posaçme, sipas sistemit të organizimit edhe të gjykatave të apelit.
Pas një hezitimi të gjatë, shumica qeverisëse, e përfaqësuar në Komisionin e Ligjeve, në një mbledhje ku kanë munguar përfaqësuesit socialistë, ka miratuar si zgjidhje konsensusi propozimin e paraqitur më parë prej opozitës, për ngritjen e gjykatave administrative të shkallës së parë, në qendrat e rretheve ku ka dhe gjykata apeli.
Mbledhja
Komisioni i Ligjeve është detyruar dje që ta zhvillojë mbledhjen e tij pa praninë e deputetëve socialistë, të cilët për të dytën herë radhazi kanë refuzuar që të marrin pjesë, për shkak të një vendimi politik për të mos marrë pjesë në jetën parlamentare, për sa kohë qeveria nuk vendos që të shpërndajë kartat falas për të gjithë ata shtetas që nuk kanë pasaportë.
Kështu, në mbledhjen e djeshme, ka qenë si përfaqësues i opozitës vetëm deputeti i LSI-së Spartak Braho, i cili është dhe relatori i projektligjit në fjalë.
Ndërkohë që në të kanë qenë të ftuar të marrin pjesë, përveç përfaqësuesve të misioneve të huaja që asistojnë, edhe grupet e interesit, Dhoma Kombëtare e Tregtisë, Ilir Zhilla dhe kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku. Kanë qenë pikërisht Buxhuku dhe Zhilla ata që i kanë kërkuar komisionit që të marrë parasysh kërkesën e socialistëve për ta organizuar këtë drejtësi në shkallë të parë me gjykata të posaçme dhe jo seksione pranë gjykatave të apelit.
"Në mënyrë të veçantë dëshirojmë të keni vullnetin për të riparuar nenin 4, pika 2, për emërtimin e gjykatave, krijimin jo në bazë seksionesh, por të jenë dhe ato gjykata normale. Një vërejtje që është e pranueshme, nuk e prek thelbin e projektligjit dhe mund të gjendet një formulë konsensusi.
Kam parasysh këtu se, kjo ka qenë dhe një nga vërejtjet e përfaqësuesit të opozitës dhe ne mendojmë se është e arsyeshme dhe mund të merret parasysh nga ana juaj", - tha Buxhuku.
Ndërkohë që ndaj një propozimi të tillë ka reaguar ministri i Drejtësisë, duke e konsideruar atë si të papranueshëm, dhe duke mbrojtur propozimin e bërë nga ekspertët e ministrisë që ai drejton, për ta organizuar këtë lloj drejtësie në shkallë të parë në rang seksionesh.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i relatorit të këtij drafti, z. Braho, i cili i ka kërcënuar me largim nga mbledhja nëse nuk do të pranohej kërkesa e opozitës dhe ajo e grupeve të interesit për gjykata të posaçme.
Kjo duket se ka detyruar Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajlin, që edhe pse kundra vullnetit të Ministrisë së Drejtësisë, të hedhë në votë si propozim konsensual ndryshimin e nenit 4, sipas propozimit të socialistëve, për të ngritur gjykata dhe jo seksione.
"Pranojmë konceptin e Brahos për gjykatat administrative të shkallës së parë në numër dhe për territor të barabartë, me atë të gjykatave të apelit. Biem dakord, nuk e minimizojmë.
Formulim kompromisi që vjen nga diskutimi i kolegëve", - tha Rusmajli, duke votuar propozimin, i cili ka marrë votat edhe të dy deputetëve demokratë, Ilir Bano dhe Luan Skuqi, që janë thirrur për të marrë pjesë në mbledhje, për të formuar kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e një mbledhjeje.
Gjykimi
Një tjetër debat, por që kësaj here ka lindur mes vetë përfaqësuesve të djathtë, ka qenë ai për vendin se ku do të gjykohen çështjet administrative që kanë të bëjnë me sende të paluajtshme.
Ka qenë Madhi ai që, si përfaqësues i shtresës së ish-pronarëve, ka kërkuar që gjykimi i këtyre çështjeve të bëhet pranë gjykatave, në territorin e së cilës ka ndodhur një çështje dhe jo në Tiranë, sikurse parashikonte drafti i qeverisë. "Unë prirem nga një interes pozitiv.
Mua që më është shpronësuar toka në Konispol, pse duhet të vij që të gjykoj çështjen në Tiranë. Unë kam nevojë për ekspertizën atje, prandaj do të ishte më mirë që të vinte specialisti i gjykatës tek qytetari, sesa të vinte qytetari tek në Tiranë", - tha Madhi.
I këtij mendimi ka qenë edhe sekretari i komisionit, Sali Shehu, i cili është shprehur se, "unë them se i ka mundësitë që të vijë specialisti nga Tiranë atje në fshat, ku ndodh një çështje administrative, sesa të vij një person nga fshati në Tiranë për të gjetur të drejtën e vet".
Çështja është zgjidhur duke përfshirë në draftin e qeverisë dy nga propozimet e socialistëve dhe pikërisht ato që përmban neni 13 dhe 14 i draftit të PS-së. Kështu, u sanksionua se kompetente për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, që kanë për objekt mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme, është gjykata, në territorin e së cilës ndodhet sendi ose pjesa më e madhe e tij.