Vë bast, javën tjetër barazojmë me pikë me Tiranën
Shënon Sukaj, fiton Vllaznia
Kur shënon ai, Vllaznia fiton. Kur ai humbet raste dhe nuk e dërgon topin në rrjetë, kuqeblutë nuk arrijnë të marrin qoftë edhe një pikë. Mund të jetë rastësi, por ky është realiteti i katër ndeshjeve të para të kampionatit për Vllazninë. Protagonisti në fjalë është sulmuesi Xhevahir Sukaj. Ai ka humbur raste të pastra shënimi ndaj Kamzës dhe Kastriotit, për pasojë kuqeblutë kanë dështuar në marrjen e një pikë. Por kur ai ka shënuar, gjërat kanë qenë ndryshe.
Kur e pyet Sukajn nëse është vërtet kështu, ai përgjigjet: Nuk mendoj se ekziston një gjë e tillë, pavarësisht se kështu ka ndodhur në këto ndeshjet e para. E rëndësishme është që Vllaznia të mos varet vetëm nga një person, kushdo qoftë ai. Vllaznia duhet të bëjë lojën e saj dhe rezultatet pozitive duhet të jenë pjesë e gjithë skuadrës, sepse për të kontribuojnë të gjithë.
Tirana Në mes skuadrave të kampionatit shqiptar nuk ka shumë diferenca dhe këtë e thonë të gjithë. E pranon edhe Xhevahir Sukaj, që ka mendimin se mes Vllaznisë së tij dhe Tiranës, që kryeson kampionatin, nuk ka ndonjë diferencë, prandaj dhe këtë gjë, më mirë se kushdo tjetër, do ta tregojë ndeshja e javës së ardhshme në Loro Boriçi për kampionat.
Nëse kemi humbur në dy ndeshjet jashtë, këtë fillimsezoni, dhe kemi fituar në dy ndeshjet brenda, kjo nuk do të thotë se kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. E rëndësishme për ne është të luajmë sa më mirë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë në çdo ndeshje, si brenda, ashtu dhe jashtë fushës sonë. Duke filluar nga ndeshja me Tiranën, në të cilën do të bëjmë çmos për të marrë tri pikët e fitores.
Mendimi im është se Tirana nuk ka asgjë më tepër sesa ne, për rrjedhojë, pas ndeshjes së radhës me bardheblutë, të dyja skuadrat do të kenë nga 9 pikë secila në tabelën e renditjes. Vllaznia ka forca dhe mundësi më tepër, për të bërë gjëra të mira në të ardhmen, gjë të cilën do ta tregojë nga klasikja me Tiranën, për ta rritur performancën e saj nga ndeshja në ndeshje, – thotë Sukaj.
24-vjeçari shkodran ka shënuar 4 gola, në po aq ndeshje kampionat, duke qenë pika kryesore referuese në sulmin e Vllaznisë. Së bashku me Vajushin, ata përbëjnë një nga dyshet më interesante të kampionatit shqiptar. Po të kihet parasysh edhe një fakt tjetër, se në radhët e kuqebluve bën pjesë edhe Ujku Sinani, kjo treshe formon sulmin më të frikshëm në të gjitha skuadrat e superligës.
Nëse për Sinanin ka pasur jo shumë minuta në dispozicion, për arsye të ndryshme, Sukaj ka pasur si partner sulmi Vajushin, i cili, po ashtu, është përpjekur shumë në këtë fillimkampionati, ka realizuar dy gola, duke qenë po ashtu një bomber i lakmueshëm në kampionatin shqiptar.
4 gola
në po aq ndeshje kampionat ka shënuar 24-vjeçari shkodran, duke qenë pika kryesore referuese në sulmin e Vllaznisë. Ai regjistron 360 minuta lojë deri më tani, çka do të thotë se ka qenë i plotë me kuqeblutë
7 gola
në total ka realizuar skuadra shkodrane në katër javët e para të kampionatit. Katër prej tyre mbajnë firmën e Sukajt, dy të Vajushit dhe një autogol i Markoviçit të Teutës
