E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votim i hapur për dekretet e Presidentit

03/06/2010 PD propozon ndryshimin e Rregullores së Kuvendit për procedurat e shqyrtimit

Komisioni i Ligjeve, tetë javë kohë për t’u njohur me kandidatët për gjyqtarë

Partia Demokratike ka nisur procedurat për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, lidhur me shqyrtimin e kandidaturave që propozohen nga Presidenti i Republikës. Për këtë arsye, katër deputetë të saj: Fatos Hoxha, Ilir Bano, Arenca Trashani dhe Viktor Gumi, më 28 maj i kanë propozuar Kuvendit dy amendamente që parashikojnë votim të hapur për dekretet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe zgjatjen me pesë javë të kohës që komisionit parlamentar të Ligjeve i duhet për të shqyrtuar këto kandidatura. “Projektvendimi që paraqitet për shqyrtim dhe miratimin ka për synim paraqitjen e dy amendamenteve, të cilat synojnë të përmirësojnë veprimtarinë e Kuvendit në një prej funksioneve më të rëndësishme të tij, atë të marrëdhënies së Kuvendit me dekretet e Presidentit të Republikës, ndërmjet të tjerave edhe me dhënien e pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese”, sqarohet në relacionin shoqërues të projektvendimit. Rregullorja e Kuvendit, në nenin 111 të saj parashikon votim të hapur për rastin e miratimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të ministrave që emërohen, shkarkohen dhe për projektligjin e buxhetit të shtetit. “Nëse për çështjen e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për raste e dekreteve të Presidentit për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ndiqet një formë tjetër votimi. Sikundër edhe për ministrat, votimi për ta duhet të jetë i hapur”, sqarohet më tej në projektvendim. Lidhur me amendamentin e dytë, grupi i deputetëve synon të reflektojë një mangësi praktike të evidentuar, ku koha në dispozicion të komisionit të Ligjeve të jetë më e gjerë, për të mundësuar një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore. Ndryshimi i afatit të shqyrtimit të dekretit nga 3 javë në tetë javë u jep kandidatëve më tepër kohë për përgatitje në seancën dëgjimore me komisionin e Ligjeve, sikundër edhe komisioni për të komunikuar me organet përkatëse për meritën e kandidaturave të zgjedhura. Gjithashtu ai harmonizon me afatin e vendosur në nenin 86 të Rregullores. Ndërhyrjet e PD-së në Rregullore për procedurat e votimit të kandidatëve të Presidentit, vijnë pas përplasjes që u krijua mes mazhorancës dhe ambasadorëve ndërkombëtarë lidhur me arsyet e rrëzimit të kandidatit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, Vangjel Kosta.

Këshilli i Rregullores

Këshilli për Rregulloren nisi dje diskutimin e propozimit të deputetëve të PD-së për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit. “Mbështetur në nenin 13 të Rregullores, Kryetarja thirri Këshillin”, -sqaron Kuvendi.

Votimi i hapur

Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës, të votimit të Buxhetit të Shtetit.

Afati i shqyrtimit

Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën komisionit të Ligjeve, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tetë javëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›