Ruçi merr nishan Nishanin: President partiak, në një muaj hodhi 3 firma politike
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi ka deklaruar dje nga foltorja e Parlamentit se 100-vjetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë në udhëkryq. Duke folur në seancën e Kuvendit, Ruçi theksoi se ky sesion parlamentar e gjen vendin me një president të zgjedhur në mënyrë të njëanshme. Ruci është fokusuar gjatë te puna e Presidentit Bujar Nishani.
Kritika ndaj Nishanit
Kryetari i Grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi në fjalën e tij u shpreh se ky sesion nisi me një president të ri, i cili pa kaluar një muaj nga zgjedhja në detyrë hodhi tre firma politike. Presidenti nuk mori nishan, kur në krye të KLD-së zgjodhi një militant partie dhe me një performancë aspak dinjitoze. Nuk mori nishan kur në krye të SHISH vendosi një drejtues me një të kaluar të zezë, nuk mori nishan kur ne krye të Forcave Detare dekretoi një ushtarak të lartë të arsimuar për forcat tokësore, tha Ruçi.
Akuzat ndaj qeverisë
Më tej kreu i grupit kuvendor të PS nuk i ka kursyer kritikat ndaj mazhorancës, e cila sipas tij nuk është vërtetë e shqetësuar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, por për të mbajtur pushtetin e saj sa më gjatë. Ai ka përmendur një sërë reformash, të cilat janë pjesë e 12 rekomandimeve të lëna nga BE, dhe që nuk janë realizuar nga qeveria aktuale. Ruçi i bëri thirrje mazhorancës që të votojnë amendamentet e propozuara nga opozita. Ku janë rezultatet për çështjen e pronësisë, për luftën nga krimit dhe korrupsionit, për gjykatësit. Mbetet thjesht votohen sa të mbyllet debati për nismën tonë. Kush do drejtësinë e pavarur, gjyqtarë të paanshëm dhe përzgjedhja partiake, le të votojë amendamentet tona, theksoi Ruçi.
Sanino: Imunitetin hiqeni sa më shpejt, para tetorit
Ndërsa klasa politike shqiptare vijon debatin për çështjen e imunitetit, kur ka mbetur vetëm pak kohë nga vlerësimi i BE-së, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, bën apel për dakordësi mes palëve përpara tetorit. Në ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, Sannino kërkon nga politika shqiptare që të mos e shndërrojë çdo çështje në betejë, por të bëjë përpjekje maksimale për të arritur në kohë plotësimin e njërit prej kritereve më të rëndësishëm për BE-në, luftën kundër korrupsionit. Kufizimi i imunitetit është shumë i rëndësishëm për ne, është një element kyç në luftën kundër korrupsionit. Ky do të jetë një hap përpara në drejtimin e duhur për Shqipërinë.- u shpreh Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, në një konferencë në Bruksel.
Mesazhi i Nishanit: Palët të punojnë bashkarisht
Kreu i Republikës Bujar Nishani, në një mesazh me rastin e çeljes së sesionit të shtatë të legjislaturës së tetëmbëdhjetë, shprehu urimet për një punë të mbarë të punimeve. Kuvendi i Shqipërisë është vendi i debatit, konkurrencës, paraqitjes së pikëpamjeve, alternativave, por dhe i konsensusit e vendimmarrjes. Ne jemi në prag të festimeve të 100-vjetorit të themelimit të Shtetit Shqiptar, një çast kyç ky në historinë tonë. Ky çast përkon edhe me një rrugëtim që kemi nisur prej disa vjetësh, aq shumë të dëshiruar dhe që të gjithë bashkë e konsiderojmë si alternativën e vetme: integrimin evropian, shprehet Nishani. Në mesazhin publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i vendit theksoi se vullneti dhe dëshira për ta pasur vendin tonë një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian kërkon kontribute reale. Nxis forcat politike të punojnë bashkarisht për të arritur realizimin e detyrave të rëndësishme të parashikuara në 12 prioritetet e Bashkimit Evropian, përpara daljes së raportit të përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Dëshiroj me këtë rast të nënvizoj rëndësinë e angazhimit të të gjithë deputetëve në heqjen apo kufizimin e imunitetit si një kontribut të vendosjes së një standardi politik dhe ligjor të nevojshëm për një shoqëri dhe një vend që aspiron vlerat evropiane të shtetit ligjor dhe të së drejtës, theksoi Nishani. Presidenti kujton se konsensusi i dëshiruar politik, dialogu, toleranca dhe bashkëpunimi i synuar do ti hapin rrugë një procesi normal zgjedhor ku parashikohet të hyjë vendi ynë në vitin e ardhshëm.