Ruli: Duhet të përsërisim suksesin e 17 shkurtit
Në konferencën e nëntë të degës së Partisë Demokratike për rrethin e Tepelenës ka kaluar në balotazh votimi për tri kandidaturat në garën për zgjedhjen e kryetarit të kësaj dege. Në votimin e parë kandidati për kryetar të degës së PD-së, Bujar Kapllani, në profesion agronom mori 105 vota, përkundrejt 68 votave që mori inxhinieri i minierave, Veledin Zaçe, aktualisht nënprefekt i Tepelenës dhe 44 votave që mori kandidati i tretë, mjeku Edmond Rama. Gjatë procesit të zgjedhjeve të degës, delegatët votuan dhe zgjodhën organet drejtuese, kryesinë dhe këshillin drejtues. Duke marrë fjalën në këtë konferencë, deputeti i Gjirokastrës dhe ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ftoi udhëheqësinë e re që të angazhohet maksimalisht për të kurorëzuar me të njëjtin sukses të zgjedhjeve të fundit lokale edhe zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009. "Në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, ne si qark i Gjirokastrës do të angazhohemi për të përsëritur suksesin e zgjedhjeve të fundit lokale, ku Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj të djathtë arriti të fitojë dy të tretat e komunave dhe bashkive", nënvizoi Ruli. Delegatët e degës së PD-së votuan në raundin e dytë agronomin Bujar Kapllani për postin e kreut të degës.