E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre HEC-e mbi Devoll, me 1 miliard euro

Dy kompani me kapacitete shumë të larta të energjisë në Evropë, vijnë dhe investojnë në Shqipëri në sektorin energjetik. Kompania austriake EVN dhe kompania norvegjeze “Statkraft AS”, do të ndërtojnë tre hidrocentrale në lumin Devoll me një investim prej 1 miliard eurosh. EVN AG është një ndër kompanitë kryesore në Austri, me investime të rëndësishme në Evropën Lindore, ashtu sikurse dhe në Evropën Juglindore dhe kompania norvegjeze “Statkraft AS” është lider në tregun evropian për energjinë e rinovueshme. Kryeministri Sali Berisha theksoi se "projekti për ndërtimin e kaskadës së Devollit është projekti energjetik i shekullit për shqiptarët".

Kompania austriake EVN dhe kompania norvegjeze “Statkraft AS” do të ndërtojnë tre hidrocentrale në lumin Devoll me një investim prej 1 miliard eurosh. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë austriake EVN, Burkhard Hofer dhe zv.presidenti ekzekutiv i kompanisë norvegjeze “Statkraft AS”, Ragnvald Naero, firmosën dje marrëveshjen e kontratës me koncesion për shfrytëzimin e lumit Devoll, një investim prej 1 miliard euro. Në ceremoninë e organizuar ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi se "projekti për ndërtimin e kaskadës së Devollit është projekti energjetik i shekullit për shqiptarët". Ministri Ruli në fjalën e tij u shpreh se "me këtë investim prej rreth 1 miliard euro, ky projekt do të mundësojë ndërtimin e tre hidrocentraleve, hidrocentralin Lozhanë-Grabovë me fuqi 173 MW, hidrocentralin “Skënderbegas” Drizë, me fuqi 188 MW dhe hidrocentralin e Banjës me fuqi 28 MW". Ministri Ruli vijoi "se nuk është rastësi që një kompani si EVN, e cila zotëron kapacitet gjeneruese të energjisë elektrike prej afro 2.000 MW dhe ofron shërbime mbi në 2.5 milionë klientë garanton tenderin e shpallur nga METE për shfrytëzimin hidroenergjetik të Kaskadës së Devollit, përmes një kontrate koncesioni me shtetin shqiptar dhe nuk është rastësi që një kompani si “Statkraft As”, që numëron të paktën rreth 70 hidrocentrale në Norvegji, Suedi, Finlandë dhe është prodhuesi kryesor i energjisë në vendin e saj, angazhohet para autoritetit kontraktues se do të jetë përgjegjëse së bashku me kompaninë EVN në realizimin e këtij projekti madhor". Më tej ministri Ruli ka sqaruar se në fund të vitit 2008 METE do të numërojë plot 50 kontrata koncesionare në paketën e hidrocentraleve të vegjël të firmosura tashmë me një investim total të angazhuar prej rreth 200 milionë euro dhe me një fuqi të instaluar me rreth 216 MW.

Ai theksoi se në fillim të vitit 2009 do të inaugurohet fillimi i prodhimit të energjisë elektrike të paktën në tre nga këto hidrocentrale. "Për të garantuar suksesin e negocimit të kontratës koncesionare me grupin e EVN dhe “Softkraft”, ministria kërkoi ekspertizën e një konsulenti teknik të mirënjohur në tregun evropian, e cila rivlerësoi me kujdes zgjedhjet teknike të ofruara nga kompania EVN dhe shfrytëzimin e kësaj kaskade, si dhe rentabilitetin ekonomik të këtij projekti", - nënvizoi ministri Ruli. EVN AG, një ndër kompanitë kryesore në Austri, me investime të rëndësishme në Evropën Lindore, ashtu sikurse dhe në Evropën Juglindore dhe kompania norvegjeze “Statkraft AS”, lider në tregun evropian për energjinë e rinovueshme, shpallën dje bashkëpunimin në lidhje me koncesionin për lumin Devoll në Shqipëri. Të dy këto kompani do të mbajnë 50% në partneritet, ku do të ndërtojnë sipas eksperiencës së tyre në rajon dhe do të përdorin njohuritë të ndërthurura në planifikimin, ndërtimin dhe operimin e këtij projekti sfidues hidroenergjetik. Kompanitë partnere do të planifikojnë dhe ndërtojnë tre hidrocentrale me rezervuar dhe me prodhim dhe në kohë piku me një kapacitet prej afërsisht 340 MW dhe një prodhim mesatar prej afërsisht 1.000 GWh. I gjithë investimi do të kapë një shifër prej 950 milionë eurosh dhe do të realizohet në një periudhë kohore rreth 8 vitesh.

Kush janë firmat kontraktore

EVN-ja është e renditur si je nga kompanitë ndërkombëtare austriake energjetike dhe ekologjike që ofron shërbime si energji elektrike, gaz, ngrohje, ujë, dhe përpunimin e mbeturinave dhe shërbime të ngjashme për 3 milionë konsumatorë në 18 vende të botës. Gjatë viteve të fundit grupi i EVN-se ka arritur të pozicionohet në industrinë energjetike në Bullgari dhe Maqedoni, duke furnizuar 2.3 milionë konsumatore. Në shërbimet ekologjike, EVN Group operon me sukses në furnizimin me ujë, trajtimin e mbetjeve dhe përpunimin e mbeturinave. Gjatë vitit financiar 2007/08 EVN-ja ka një total prej 9.342 punonjësish dhe të ardhurat vjetore 2.397.0 milionë euro.

“Statkraf” është prodhuesi më i madh në Evropë për energjinë e rinovueshme. Grupi zhvillon dhe gjeneron energji ujore, energji nga era, energji gazi, ngrohje rajonale dhe është një faktor kryesor në shkëmbimin e energjisë në Evrope. Gjithashtu “Statkraft” prodhon energji diellore, energji marine, energji ozmotike dhe alternativa të tjera të energjisë inovative. Në vitin 2007 “Statkrafti” ka pasur 2.2 bil euro të ardhura bruto. Grupi ka afërsisht 3.000 të punësuar në më shumë se 20 vende.

Thanë për marrëveshjen

Drejtori i EVN:

Burkhard Hofer, CEO (Drejtori Ekzekutiv) i EVN AG, tha për marrëveshjen se "një kapacitet i lartë prodhimi i siguruar nga eksperienca e tyre do të përbëjë një arritje për një furnizim të sigurt dhe të besueshëm me energji në Shqipëri. Vlerësojmë me konsideratë të lartë mundësinë e realizimit të këtij projekti gjigand hidroenergjetik me një partner si “Statkraft”, eksperienca e shquar e të cilit për sa i përket fushës hidroenergjetike, na jep besim të madh për të realizuar me shumë sukses këto plane sfiduese në Shqipëri".

Zv.presidenti i “Statkraft”

“Ceremonia e firmosjes shënon një arritje të rëndësishme në projektin energjetik të Devollit. Marrëveshja për koncesion është përmbyllur dhe ky projekt do të rrisë prodhimin e energjisë elektrike me 20 %, do të krijojë vende pune, do të stimulojë zhvillimin ekonomik dhe do të shpërndajë energji të pastër në të gjithë Shqipërinë. “Statkraft” është krenar që është pjesë e këtij projekti. EVN-ja është një partner i fortë dhe besojmë në bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të suksesshëm me qeverinë shqiptare”, - tha pas firmosje së marrëveshjes, Ragnvald Naero, zv.presidenti ekzekutiv i “Statkraft AS”.

Oktapodas: AMC, më pranë fëmijëve dhe të moshuarve për festat

Drejtori ekzekutiv i AMC-së, z. Stefanos Oktapodas, ka vizituar sot Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, si dhe Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë, për t'iu përcjellë fëmijëve dhe të moshuarve urimet dhe dhuratat e përgatitura sipas nevojave të gjithsecilit, për festat e fundvitit. Z. Oktapodas ka parë nga afër kushtet në të cilat jetojnë fëmijët dhe të moshuarit në këto dy qendra dhe është njohur me kërkesat që kanë institucionet përkatëse. Ai ka premtuar se AMC, ashtu si përherë, jo vetëm për festat, por edhe gjatë vitit do të mbështesë këto qendra, duke plotësuar nevojat që ata kanë. "AMC është më pranë fëmijëve dhe të moshuarve në këto ditë festash. Mbështetja jonë ka nisur që në vitin 2000 dhe vitet e fundit ajo është shtrirë në të gjithë vendin, në çdo shtëpi foshnjash dhe shtëpi fëmijësh. AMC është një kompani gjithmonë pranë qytetarëve dhe veçanërisht pranë njerëzve në nevojë dhe mesazhi ynë për ta është: ne kujdesimi dhe do të vijojmë të kujdesemi për ju", - u shpreh drejtori ekzekutiv i AMC. Përveç dhuratave, AMC ka plotësuar edhe nevojat e institucioneve, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës në to. AMC gjithashtu do të ofrojë darkën e Vitit të Ri për të gjithë të moshuarit e vetmuar. AMC do të ofrojë të njëjtin kontribut për fëmijët dhe të moshuarit e 12 qendrave të tjera në të gjithë vendin, në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Fier, Sarandë, Korçë dhe Gjirokastër. AMC, për herë të parë në Shqipëri, do të dhurojë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga SMS e dërguara gjatë natës së ndërrimit të viteve për fëmijët në nevojë. AMC do të ndihmojë për kurimin e fëmijëve me probleme të rënda shëndetësore, brenda apo jashtë vendit, duke dhuruar një pjesë të të ardhurave që do të grumbullohen nga SMS e dërguara në ditën e parë të vitit të ri, nga ora 00:00 deri në 07:00. Në këtë mënyrë, urimet e Vitit të Ri do të kontribuojnë për t'iu dhuruar jetë dhe buzëqeshje këtyre fëmijëve. Dhurimi për fëmijët që kanë nevojë për kujdes mjekësor bën pjesë në programin "Pjesëmarrje", në kuadër të përgjegjësisë sociale të AMC-së.

“Albtelekom”, internet pa limit dhe shtim të numra të rinj

Kompania e vetme e telefonisë fikse në vend Albtelekom vijon ofertat për të gjithë klientët e saj rezidentë dhe biznes në shërbimin ADSL (internet), nën moton "Vitin që vjen asnjeri pa internet". Drejtori i Përgjithshëm i Albtelekom, Mustafa Reshit Akdogan, gjatë një konference tha dje se kompania “Albtelekom” ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe si rrjedhojë, edhe shërbimin dhe ofertat për të gjithë abonentët. "Që nga fillimi, “Albtelekom” përveç uljes së tarifave të shërbimit internet deri në tri herë, ka shtuar edhe ofertat duke bërë dhuratë për klientët e rinj një modem, ose duke ofruar tarifën e instalimit falas dhe për të qenë sa më afër nevojave të klientëve tanë nga data 22 dhjetor, “Albtelekom” vjen me një superofertë, modem, instalim falas, si dhe 50 % ulje në muaj", - tha Agdogan. Veç të tjerash, ai tha se në të gjithë sistemin arsimor të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, kompania "Albtelekom" do të instalojë shërbimin e internetit brenda 6-mujorit të dytë të vitit 2009, në kuadër të përgjegjësisë sociale. Po kështu Akdogan tha se gjatë vitit 2009, rreth muajt mars parashikohet që faturat e telefonisë për abonentët të jepen on line dhe jo më në letër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›