E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Privatizimi i OSSH-së i vështirë, energjia produkt jetik

Paraqitja/Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes, Seit Dollapi, prezanton strukturën e re të OSSH-së

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i cili është në proces shitjeje, është privatizimi më i vështirë që ka bërë ndonjëherë vendi ynë, për sa u përket sektorëve strategjikë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka theksuar se këtë proces e bën të vështirë fakti që bëhet fjalë për shitjen e një shoqërie, që tregton një produkt shumë të rëndësishëm për jetën e konsumatorëve. Por kriteret e vendosura për shitjen e kësaj shoqërie, një kusht të fortë kanë atë që investitori strategjik duhet të ketë eksperiencë në këtë fushë, si dhe të garantojë mirëmenaxhimin e saj

Investitori strategjik që do të privatizojë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) duket të garantojnë mirëmenaxhimin e saj. Pasi, OSSH tregton një produkt që është shumë i rëndësishëm për jetën e konsumatorit shqiptar dhe si i tillë duket të garantohet furnizimi me këtë mall. Ky fakt shton risqet që mbart më vete ky proces privatizimi, një ndër më të vështirët në sektorët strategjikë të zhvilluar në vendin tonë. Këtë fakt e ka pohuar dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë prezantimit që i është bërë strukturës së re të OSSH-së nga drejtori i saj, Seit Dollapi. “Është i vështirë, sepse kemi të bëjmë me një produkt jetik, por edhe për shkak të raporteve që janë krijuar mes shpërndarjes dhe konsumatorit, ku energjia vidhet”, - u shpreh Ruli. Privatizimi i shpërndarjes që ndodhet në fazën përfundimtare mbart një sërë rreziqesh. Këto pasiguri kanë bërë që qeveria të përcaktojë si kriterin kryesor për përzgjedhjen e fituesit, që ai të ofrojë sigurinë që mund të garantojë për mirëmenaxhimin e këtij sektori mjaft të vështirë. Një investitori strategjik do t’i sigurohej kualifikimi nëse në kriteret teknike do të plotësonte disa pika kryesore. Sipas VKM-së, investitori strategjik duhet të plotësojë kushtin që sasia e energjisë së furnizuar përdoruesve fundorë, sasia e energjisë elektrike të shitur (GWh), matur në bazë të të dhënave operacionale të vitit 2007, duhet të jetë jo më pak se 10.000 GWh. Po kështu, numri i përdoruesve, që u ofrohet shërbimi nga një operator shpërndarjeje duhet të jetë jo më pak se 500.000. Të ketë eksperiencë, jo më pak se 3 vjet në menaxhimin dhe operimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga 110 kV deri 0.4 kV, dhe jo më pak se 20.000 km rrjet shpërndarjeje. Ndërkaq, kandidatët e mundshëm apo në rastin kur kandidati është bashkim i përkohshëm shoqërish, të paktën anëtari udhëheqës duhet të ketë pasur një vlerë neto, vlera totale e aseteve (aktive), minus vlerën totale të detyrimeve (pasive) jo më pak se 1 miliard euro ose ekuivalentin e saj në fund të çdo viti, për 3 vitet e fundit financiare. Po kështu, kandidati i mundshëm ose, në rastin e një bashkimi të përkohshëm shoqërish, të paktën anëtari udhëheqës duhet të zotërojë një shkallë besueshmërie për kreditim, në valutë të huaj ose në monedhën e vendit të operimit (nëse kjo është lehtësisht e konvertueshme), të paktën “BBB minus” nga “Standard & Poo’s”, ose “BAA” nga “Moody’s Investitor Service”, ose “BBB minus” nga “Fitch Ratings”, ose “BBB minus” nga “Thomson Bank Watch”. Ofertuesi i mundshëm duhet të deklarojë dhe garantojë gjithashtu se nuk i është nënshtruar procedurave të falimentimit ose likuidimit, se është i regjistruar si subjekt ligjor në përputhje me legjislacionin e vendit përkatës, se nuk është i dënuar apo i akuzuar për mashtrim, korrupsion, pastrim parash ose pjesëmarrje në vepra penale dhe se nuk ka dijeni për ndonjë konflikt interesi apo konflikt të mundshëm interesi, që vjen si pasojë e kontratave apo marrëdhënieve të mëparshme ose ekzistuese, të cilat mund të ndikojnë materialisht në aftësitë e tij për pjesëmarrje në projekt

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›