E Diel, 1 Nëntor 2026

Petrit Liçi, I penduari tërhiqet nga kërkesa për lirim, pushohet çështja

Dy muaj më parë depozitoi kërkesën për lirim me kusht në Gjykatën e Tiranës

Nuk bëhen publike arsyet e tërheqjes së të penduarit, të cilat kanë të bëjnë me përfundimin e dënimit, ose me mosbërjen publike të datës së lirimit të tij nga vendi ku vuan dënimin dhe ruhet nga shteti. Liçi hodhi dritë mbi të gjitha krimet e kryera nga “Banda e Lushnjes” dhe rolin e Aldo Bares në këto episode kriminale

Kërkon pushimin e çështjes, me dëshirën e tij, i penduari i “Bandës së Lushnjes”. Petrit Liçi i ka dhënë fund procesit gjyqësor ndaj lirimit të tij. Ndërsa dje pritej të zhvillohej seanca e radhës në ngarkim të tij, pas dështimit të dy seancave të para, Liçi kishte paraqitur një kërkesë në gjykatë, ku edhe kërkonte pushimin e çështjes. Nisur nga mosprania e Liçit në këto tri seanca, si dhe kërkesës së vetë palës kërkuese për pushimin e çështjes, gjyqtarja Fatmira Hajdari vendosi pushimin e çështjes. Pas dy seancave të para gjyqësore në të cilat nuk ishte paraqitur, pa asnjë arsye, dje Liçi ka ndërruar mendje, duke kërkuar që të mos shqyrtohej kërkesa e tij për lirimin me kusht, pa dhënë ndonjë arsye pse u tërhoq nga kjo kërkesë. Një nga arsyet dyshohet të ketë qenë fakti që të penduarit e “Bandës së Lushnjes” i kanë mbetur vetëm disa ditë burg për të shlyer ose e ka përfunduar fare si masë dënimi, dhe kërkesa për lirim me kusht është bërë për të tërhequr vëmendjen nga llogaritjet për kohën e përfundimit të dënimit prej tij, ose ndoshta për arsyet e bërjes publike të këtij fakti. Një tjetër arsye e tërheqjes dyshohet të jetë mosbërja publike e datës së lirimit të tij nga burgu. I penduari Liçi, më datë 13 maj të këtij viti, ka depozituar në Gjykatën e Tiranës kërkesën për lirimin e tij me kusht, pas shpalljes së moskompetencës së shqyrtimit të kësaj kërkese nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Dosja mbante numrin 837 dhe po shqyrtohej nga ana e gjyqtares Fatmira Hajdari. Liçit i kanë mbetur vetëm pak ditë heqje lirie për të shlyer pas dënimit të dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila e dënoi atë me 7 vjet heqje lirie. Edhe pse kërkoi nga gjykata lirimin e tij me kusht, pasi ka qenë një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, i cili ka shkatërruar dhe dënuar një bandë me të gjitha deklarimet e tij, ai ka vendosur të kthehet mbrapsht. Liçi u shpall fajtor për veprat penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “vrasje me paramendim” të Bledar Haxhiut, “në kuadër të organizatës kriminale”, “vrasje me paramendim” të Artan Sulçes etj. Ai përfitoi statusin e të penduarit të drejtësisë, pas rrëfimit të të gjitha bëmave të kryera nga “Banda e Lushnjes”, në krye të së cilës qëndronte Aldo Bare dhe ky i fundit ishte një prej “ushtarëve” të tij. Në dëshmitë e tij Liçi ka rrëfyer që nga vrasja e Artur Dajës, kundërshtarit të Aldo Bares, prerja e kokës së tij, shëtitja nëpër qyteti si një triumf e më pas hedhja në shatërvanin e qytetit. Por jo vetëm kaq, Liçi ka rrëfyer edhe të gjitha vrasjet e kryera nga banda, ku të gjithë viktimat ishin miqtë ose të afërmit e Tur Dajës.

Gjatë dëshmive të tij, Liçi nuk ka ngurruar aspak të tregojë emra, detaje për vrasje, tentativa vrasjesh apo dhe atentate të ngelura në tentativë. Madje, Liçi gjatë procesit gjyqësor dha detaje edhe për episode kriminale në të cilat nuk kishte marrë pjesë, por që sipas tij, kishte dijeni sesi kishin ndodhur. I penduari hodhi dritë mbi rolin e të gjithë të pandehurve në Bandën e Lushnjes, që nga personi që jepte urdhrat, deri të ekzekutorët, një prej të cilëve ishte edhe vetë ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›