E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli dhe Olldashi akuzojnë kryebashkiakun e Gjirokastrës



Ngjarja e rëndë në qytetin e Gjirokastrës, ku si pasojë e shembjes së një pallati humbën jetën tre banorë të tij, ka qenë lajtmotivi i debatit të djeshëm në Kuvend, ku kanë dalë fakte të reja mbi firmën e ndërtimit dhe mënyrën e marrjes së lejes. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, që është dhe deputet i zonës, mori fjalën i pari dhe deklaroi se ngjarja “ishte e paralajmëruar”. Ruli akuzoi direkt kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bimen, se ka favorizuar firmën e ndërtimit në marrjen e lejes së ndërtimit. “Leja ishte kërkuar më poshtë, por atje i prishte punë një hoteli që është i vëllait të kryetarit të Bashkisë. Por ndërtimi nuk mund të bëhej aty, kështu që qe kolektori ai që bëri një devijim dhe ai sot nuk mund të shkarkojë më në kapacitetin e parë”, - deklaroi Ruli. Të njëjtën akuzë ka bërë edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, si dhe mjaft deputetë të tjerë, të cilët kërkuan nxjerrjen përpara drejtësisë së përgjegjësve të saj.

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha se ngjarja ishte paralajmëruar nga banorët si dhe leja e ndërtimit kundrejt pallatit që u rrëzua, ishte kontestuar nga specialistët në mbledhjen e KKRT-së. “Nuk ishte rastësi ajo që ndodhi, por ishte hallka e fundit. Ishte një pabarazi me lejen e ndërtimit apo një preferencë në dhënien e lejes. Plani përcakton ndërtime jo më të larta se tri kate në këtë zonë, por në këtë lagje zor se gjen ndërtesa më të vogla se 10 kate. Specialistët kanë ngritur shqetësimin për paaftësisë gjeologjike të tokës dhe për rrezikun që ajo sillte për banorët e pallatit ekzistues. Fjala e tyre nuk u dëgjua dhe tragjedia ndodhi. E rëndësishme është që të evitohen tragjeditë e tjera”, - tha Ruli i cili akuzoi më tej kryetarin e baskisë, pasi sipas Rulit, “në Gjirokastër janë dy-tri firma që kanë marrë mbi 70% të lejeve të ndërtimit në qytetin e Gjirokastrës”.

Ministri Ruli kërkoi dorëheqjen e Flamur Bimes, si dhe kërkoi ndjekjen e kësaj çështjeje nga prokuroria. “I kërkoj kryebashkiakut t’i lehtësojë rrugën prokurorisë për të investiguar këtë rast dhe të heqë dorë nga imuniteti i tij”, - shtoi Ruli.

Olldashi

Nga ana tjetër, ministri i Transporteve, Sokoll Olldashi, tha se ky rast është tipik rast korrupsioni në mënyrën se si favorizohen kompanitë e ndërtimit për të përfituar leje. Ndërkohë që sipas tij, vendi ku është ndërtuar, është i papërshtatshëm. Siç sqaron ministri, “pak vite më parë kërkoi në të njëjtin vend leje ndërtimi Enti i Banesave, por u kundërshtua, pasi vendi nuk ishte i favorshëm, ndërsa sot leja është dhënë për një kompani private pa licencë”. Duke sqaruar korrupsionin në dhënien e lejes së ndërtimit, Olldashi tha se “kjo shoqëri e krijuar në prill të 2008-ës, e regjistruar si shoqëri më 29 prill 2008 ka marrë lejet të gjitha brenda datës 15 korrik 2008. Por ky zotëri ka marrë licencën më vonë. Pra ai ka marrë lejet pastaj është regjistruar në zyrat e shtetit. Ky zotëri edhe me licencën që disponon, nuk mund të kryejë asnjë punim mbi vlerën e 20 milionë lekëve, ndërkohë që vlera e godinave ishte e pamasë”. Ai u ndal edhe për situatën e ndërtimeve në vend, duke lëshuar akuza për kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Olldashi përmendi disa raste në Tiranë, si shembja e tavanit në Shkollën e Turizmit, shembjen e një tavani edhe në një shkollë në Laprakë, rënia e zjarrit etj.

“Për shkak të mënyrës kriminale dhe abuzimeve me lejet e ndërtimit, jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Tirane, po ndodhin tragjedi dhe po humbim jetë njerëzish. Problemi është se faji nuk është i emergjencave dhe zjarrfikëseve, por i një modeli keqfunksional të lejeve të ndërtimit”, - tha Olldashi. Të njëjtën gjë theksoi edhe ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, si dhe tha që projekte me fondet buxhetore janë shpërdoruar nga pushteti lokal. “Kjo tablo e Gjirokastrës nuk duket shumë e ndryshme nga ajo e shumë qyteteve të tjera. Në këta tre vjet për këtë qytet ka pasur mjaft projekte konkrete të zhvillimit të infrastrukturës, por këto projekte prej milionë eurosh janë zvarritur apo deformuar nga bashkia”, - deklaroi Ruli.

Braçe: Bime ka punuar mirë. Paloka: Opozita të mos e mbrojë

Opozita ka paraqitur një tjetër qëndrim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër. Erion Braçe, nënkryetari i grupit kuvendor socialsit, tha se kjo përgjegjësi është individuale. “Faji është individual dhe jo kolektiv. Qeveria duhet të japë përgjigje për 16 minatorët e vdekur njëherësh, për Gërdecin, si dhe për njerëzit që humbin jetën çdo ditë duke ecur në rrugë”, - tha Braçe. Në lidhje me kërkesën e maxhorancës për dorëheqjen e kryetarit të baskisë, Flamur Bime, Braçe tha se kjo është e drejta e zgjedhjes së atij vetë, por sipas tij, Bime ka bërë një punë të mirë në Gjirokastër. “Kjo është gjëja më normale që mund të bëjë zoti Bime, pjesa tjetër i takon vetë atij, megjithëse deri tani ka treguar se ka bërë një punë të mirë. Ne jemi të hapur që hetimet të shkojnë deri në fund dhe të përfshihen të gjithë përgjegjësit, nga i pari te i fundit. Nëse do të bënim një paralelizëm midis kësaj fatkeqësie dhe Gërdecit, i pari që duhet të japë dorëheqjen është Berisha”, - tha më tej Braçe. Por me këtë qëndrim nuk ka qenë dakord maxhoranca, e cila nëpërmjet deputetit Edi Paloka ka deklaruar se opozita të mos mbrojë politikisht kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës. “Opozita duhet të dalë në këtë sallë dhe të kërkojë dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës dhe mos ta mbrojë atë. U ndërtua një pallat mbi baza korrupsioni, duke mos respektuar asnjë kriter ndërtimi dhe duke marrë jetën e njerëzve të pafajshëm që mendonin se ishin të qetë në shtëpitë e tyre”, - tha Paloka. Nga ana tjetër, Valentina Leskaj kërkoi zbutjen e toneve, duke thënë se “rasti i djeshëm duhet të vlejë për përmirësime të ardhshme”. “Grupi parlamentar i PS-së kërkon që kjo ngjarje të zbardhet deri në fund, duke vënë përpara përgjegjësisë të gjithë shkaktarët. Ne mbështesim prokurorinë në punën e saj dhe njëherësh e nxisim atë që hetimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundshme”, - deklaroi Leskaj.

Viktimat në Gjirokastër, Kuvendi dy minuta heshtje

Kuvendi i Shqipërisë mbajti dje dy minuta heshtje në nderim të tri viktimave të rëna gjatë shembjes së pallatit në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër. Në fillim mori fjalën ministri i Ekonomisë dhe deputeti i zonës, Genc Ruli, i cili pasi akuzoi autoritetet lokale për shpërdorim me pushtetin, ftoi deputetët të mbajnë dy minuta heshtje në kujtim të viktimave të pafajshme të rëna në këtë aksident tragjik, por të paralajmëruar. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, ftoi deputetët të ngrihen në këmbë për të nderuar kujtimin e të rënëve në këta aksident. “I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!”, - tha kryetarja Topalli në fund të heshtjes për viktimat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›