E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi-Serbi nxisin debate në OKB për demarkacionin

Serbia dhe Rusia rrezikojnë që të kthejnë bisedimet teknike për çështjen e demarkacionit të kufirit, mes Kosovës dhe Maqedonisë në një debat ndërkombëtar.

Sipas njoftimeve të disa mediave, në sesionin e Këshillit të Sigurimit me dyer të mbyllura, presidenti serb, Boris Tadiç i mbështetur edhe nga ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin ka kërkuar që të mos nisë çështja e zgjidhjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, sepse ky proces nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen e Serbisë, pasi kjo është edhe çështje serbe. Por, Maqedonia ka refuzuar kërkesën e Serbisë për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së demarkacionit të kufirit me Kosovën. Ministria e Jashtme e Shkupit është përgjigjur se, Maqedonia ka të drejtë legjitime që t'i vendosë vetë kufijtë me fqinjët e saj. Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm maqedonas e vlerësojnë, si të pabazë kërkesën e Rusisë dhe të Serbisë. "Kjo është një lëvizje politike, e cila mund të shkaktojë tensione të tjera të panevojshme në rajon", tha ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Sllobodan Casule, në të përditshmen maqedonase, "Dnevnik". Për të njëjtën gazetë, ish-kryeministri maqedonas, Vllado Buçkovski, tha se, pjesa irrituese e kësaj çështjeje ishte se: "Vija kufitare po vihet në diskutim tani nga e njëjta palë me të cilën ne më parë kishim rënë dakord", (Serbia). Maqedonia ka nënshkruar një marrëveshje të kontrolluar nga Kombet e Bashkuara për kufirin me Kosovën në vitin 2001. Të hënën, në një sesion të Këshillit të Sigurimit dedikuar Kosovës, i dërguari rus në OKB, Vitali Çurkin, shprehu irritim mbi fillimin e demarkacionit të kufirit. Në fillim të këtij muaji, komisionet e Kosovës dhe të Maqedonisë nisën procesin me nënshkrimin e Protokollit të Bashkëpunimit. Një detaj që ka shkaktuar reagimin e Beogradit mbi këtë proces, ishte nënshkrimi në një dokument zyrtar maqedonas mbi vulën "Republika e Kosovës". Kufiri ka mbetur i pashënuar, pasi autoritetet e Prishtinës kanë debatuar mbi të drejtën e Serbisë për të ndryshuar kufijtë e Kosovës që në vitin 2001. Casule tha se: "Iniciativa e marrë nga Beogradi dhe Moska nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi marrëveshja e mëparshme është nënshkruar me një shtet, pasardhësit ligjorë të të cilit janë si Kosova ashtu edhe Serbia". Përcaktimi reciprok i kufijve, ishte një pjesë e planit të Marti Ahtisarit për Kosovën, në vitin 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›