E Diel, 1 Nëntor 2026

Saranda, këtë vit vera sjell 200 mijë turistë

Saranda, qyteti më jugor i vendit, qyteti i 300 ditëve me diell, tashmë e ka përcaktuar destinacionin kryesor të zhvillimit të saj.

SARANDE / SHPRESA DINE

Dhe ai është turizmi. Nga viti në vit, Saranda performohet ndryshe. "Përballja me shtimin e turistëve të huaj dhe atyre vendas na vë përpara detyrimeve akoma më të mëdha për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkesat e nevojshme që kanë të gjithë kategoritë e pushuesve", u shpreh kryetari i bashkisë, Edmond Gjoka, në intervistën e tij dhënë për gazetën "Panorama".
Jemi në prag të çeljes së sezonit turistik. A mund të na thoni se cila është e reja e këtij sezoni?
Unë ju falënderoj për intervistën, që e merrni në një moment pikant, në prag të çeljes së sezonit turistik 2008, e cila do të bëhet më 3 maj. Çelja e sezonit turistik sivjet është konceptuar si një festë mbarëqytetare, ku personazh nuk është vetëm bashkia, janë gjithë qytetarët e bizneset e Sarandës. Është perceptuar si një pelegrinazh, si një paradë dhe si një panair madhështor, ku do të konkurrojnë gjithë bizneset. Megjithatë, përpjekjet tona janë që turizmi në Sarandë të mos jetë vetëm një-tre muaj, por gjithëvjetor. Dhe natyrisht që këtë e kemi arritur kur turisti e prek tokën sarandiote në janar deri në fund të tetorit. Por duhet thënë edhe ajo që përfundimisht Sarandës i ka ikur, ose më saktë i është hequr ajo njolla e zezë që ka pasur dikur, problemi i çmimeve, edhe pse nuk ka qenë real. Ajo ka qenë thjesht një konkurrencë e pandershme në treg. Saranda nuk ka më çmime të larta, por do të thosha që ka çmime shumë të ulëta, çmime konkurruese, në të gjitha bizneset e shërbimit. Ndërkohë, të gjitha hotelet dhe restorantet, në të gjithë qytetin dhe bashkia punojnë si partnerë të përbashkët.
Konkretisht, cilat janë investimet e dukshme që turisti do t'i hasë sa të hyjë në Sarandë?
Një prej tyre është hapja e zyrës së informacionit turistik, një projekt modern që i shkon Sarandës, që i shkon orientimit që ka kjo zyrë e informacionit turistik. Atje do të shfaqen të gjitha prodhimet pikante të qytetit të Sarandës. Ndërkohë ne do të inaugurojmë në datën 3 edhe muzeun arkeologjik dhe kjo ndodh pas 10 vitesh heshtjeje, që edhe pse ishte në qendër të qytetit ishte kthyer në një magazinë. Muzeu arkeologjik është një investim i bashkisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit. Por Ministria e Turizmit dhe Kulturës, ka dhënë një ndihmesë edhe në drejtim të infrastrukturës, për ta bërë Sarandën një trajtë konkurruese në rajon. Dritat non stop, ujë deri në tetë orë në ditë, gjelbërim, ndriçim të gjithë rrugëve, deri në lagje të qytetit, por i ndryshëm ndriçimi në shëtitore. Këto edhe shumë element të tjerë bëjnë që Saranda të jetë në hierarkinë e turizmit, jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon.
Si e parashikoni këtë sezon turistik?
Sivjet nuk hezitoj të them se do të ketë më shumë turistë se vitin e kaluar, mbi 200 mijë turistë. Vitin e kaluar Saranda ka pasur mbi 30 milionë euro të ardhura nga turizmi, ku përfitues janë të gjithë. Biznesi vjet ishte tepër i kënaqur me këto arritje të sezonit. Për këtë vit kemi konfirmim nga shumë agjenci turistike për ardhje të turistëve këtu si dhe për mbërritjen e 39 kroçerave. Rreth 60 për qind e turistëve që vijnë në Sarandë janë të huaj. 
Sa sipërfaqe plazhe ka sivjet në Sarandë?
Janë rreth 100 mijë m2 plazhe dhe jemi ende duke e shtuar atë, duke synuar tek ato publike. Saranda ofron një jetë të këndshme, pushime të këndshme, me aktivitete, me jetë nate, një qytet ku përqafohet nga të gjitha moshat. Thelbi për Sarandën është se te qytetarët sarandiotë gjen respekt dhe dashuri. Gjen rend dhe qetësi, i dalluar nga çdo qytet tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›