E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjidhni Politeknikun, duhen inxhinierë”

Rreth 100 maturantë të tre shkollave të mesme të kryeqytetit vizituan dje Universitetin Politeknik të Tiranës. Kjo në kuadër të nismës "Këshillimi i karrierës për maturantët".

Këtë herë të përzgjedhurit ishin gjimnazistët e shkollave të mesme të përgjithshme "Ismail Qemali", "P. N. Luarasi" dhe "Besnik Sykja". "Rektorët, dekanët, personeli akademik do të jenë në dispozicion për t'ju njohur me programet e studimit dhe me çfarë ofron universiteti, e tregu i punës për diplomat përkatëse. Por do të isha shumë i gëzuar nëse këtë vit, ju, përfshi edhe ata me rezultatet më të mira, do të orientoheshit drejt fakulteteve inxhinierike", iu drejtua maturantëve ministri i Arsimit, Genc Pollo. Sipas tij, diploma në inxhinieri ofron mundësi jo të vogla avancimi në karrierë dhe të ardhura të kënaqshme. Por veç kësaj edhe sepse zhvillimit të vendit dhe të ekonomisë kombëtare i nevojiten specialistë të mirë në fushat inxhinierike. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgo Kacani, nga ana e tij u angazhua për një bashkëpunim të mëtejshëm me shkollat e mesme për informimin e maturantëve rreth universitetit që drejton. Pas përfundimit të turit njohës të pedagogëve në shkolla, muaji maj do të jetë muaji i vizitave të nxënësve të shkollave të mesme në fakultete. Kjo për të arritur objektivin e "Këshillimit të karrierës". Me anë të tij nxënësit aktualisht maturantët, para provimeve të maturës dhe para se të zgjedhin mes shumë fakulteteve në vend, të kenë një informacion të plotë për degët që do të zgjedhin për të studiuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›