E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi, vritet ndërtuesi i muzeut të Stalinit

Autori i Lajmit: A.D

Vollgograd – Një biznesmen rus, Vasili Bukhtienko, i cili ka ndërtuar muzeun e ish-diktatorit sovjetik, Josif Stalin, në Vollgograd, është rrahur gjer në vdekje nga disa persona të paidentifikuar. Ai është sulmuar në një fushë tenisi afër qytetit të Vollgogradit (dikur i njohur si Stalingradi në jug të Rusisë) dhe ka pësuar një sërë goditjesh në kokë që i shkaktuan vdekjen disa çaste më vonë. Motivi i sulmit nuk është mësuar ende. Mediat ruse raportojnë që ai fillimisht kishte humbur vetëdijen nga një elektroshok, ndërsa më pas është goditur disa herë në kokë. Nga plagët e marra më pas ai ka vdekur në spital. Bukhtienko e ka ndërtuar muzeun kushtuar Stalinit afër përmendores që simbolizon betejën e njohur për Stalingradin gjatë viteve 1942 dhe 1943. Kjo betejë vlerësohet si ndër më të përgjakshmet, pasi në të kanë humbur jetën qindra mijë ushtarë sovjetikë dhe gjermanë, kurse shumë historianë e konsiderojnë atë si kthesë të rëndësishme në Luftën e Dytë Botërore. “Ai ishte duke pushuar në një fushë tenisi. Këtu u krye dhe vrasja”, - tha një zëdhënës i hetuesve rajonalë i cituar nga agjencia e lajmeve “Ria Novosti”. Policia po heton për të zbardhur shkaqet e vërteta të vrasjes. Gazeta e Vollgogradit, "Pervaja Gazeta" raportoi se
Bukhtienko ishte sulmuar nga tre persona të paidentifikuar me aparat elektroshoku. Në vitin 2005, Bukhtienko hapi një muze me tri dhoma në ish-kryeqytetin e revolucionit rus, Stalingrad.
Hetuesit rusë të vrasjes në fjalë nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me kremtimet e 65-vjetorit të fitimit të luftës kundër nazistëve gjermanë që pritet të mbahet më 9 maj. Rusia është përfshirë prej kohësh në një debat të gjerë për rehabilitimin e figurës së ish-udhëheqësit të saj komunist.

Ky lajm është publikuar: 02/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›