Rusia bind Advokatin: Meritonim fitoren ndaj Polonisë
Trajneri holandez që drejton Rusinë: Luajtëm më mirë se kundërshtari. Arritëm një rezultat pozitiv, pavarësisht se meritonim tri pikët.
Rusia ka barazuar 1-1 me Poloninë të martën në mbrëmje dhe trajneri holandez Dik Advokat ka bërë të ditur se skuadra e tij meritonte më shumë, por ka pranuar, gjithashtu, se gabimet e bëra në pjesën e dytë i kanë mohuar rusëve fitoren.
Rusia, kryesuese e Grupit A pas fitores bindëse 4-1 kundër Çekisë, me Poloninë që ka barazuar 1-1 me Greqinë në ndeshjen e parë, dukej se do të merrte fitoren e dytë në grup pas golit të avantazhit të realizuar nga Xagojev në minutën e 37-të të pjesës së dytë.
Megjithatë, polakët kanë arritur të barazojnë në të 57-ën, kur kapiteni Jakub Blazikovski ka shënuar me një të majtë të pakapshme. Mendoj se Rusia ka luajtur më mirë se Polonia, por ka qenë një ndeshje shumë e mirë, ka thënë Advokat në përfundim të ndeshjes.
Kemi luajtur mirë për të marrë një rezultat pozitiv. Polonia ka një avantazh të madh sepse është ekipi vendas dhe ka një mbështetje më të madhe nga tifozët. Barazimi 1-1 ka qenë një rezultat i mirë, por unë mendova se do të fitonim ne sepse pasi kemi kaluar në avantazh e kishim ndeshjen nën kontroll.
Përpara ndeshjes, trajneri holandez ka thënë se Rusia nuk ndihej si ekipi favorit për të fituar grupin pas fitores së thellë kundër Çekisë dhe pas barazimit të Polonisë me Greqinë. I pyetur nëse lojtarët e tij e kanë nënvlerësuar Poloninë, ai është përgjigjur:
Jo, nuk është e vërtetë. Ndeshja e parë ka qenë një fitore 4-1. E dyta ka qenë një transfertë dhe goli i barazimit ka qenë shumë i bukur. Nëse tregohemi objektivë duhet të pranojmë se ka qenë një ndeshje shumë e bukur.
Rusia ka zotëruar më shumë topin. Të luash kundër një skuadre si Polonia është e vështirë. Të dy ekipet kanë luajtur mirë, ka shtuar ai. Advokat ka përgëzuar kapitenin e Rusisë Andrei Arshavin, i cili ka ekzekutuar goditjen e dënimit që ka sjellë golin e Xagojevit, duke larguar zërat se ai është dukur i lodhur në vazhdim të ndeshjes dhe se duhej të ishte zëvendësuar.
Ka qenë lojtari ynë më i rrezikshëm, më i shkathëti me topin, kështu që unë nuk kam menduar ta zëvendësoj. Sa herë që ka pasur topin, diçka ka ndodhur, kështu që e kam lënë në fushën e lojës. Në lidhje me rëndësinë e Xagojevit, i cili ka shënuar një dygolësh kundër Çekisë.
Nuk do të flas për lojtarët individualisht. Por ai është shumë i talentuar, ka shënuar një gol tjetër. Ka bërë një punë shumë të mirë. Tani duhet të sigurojmë kualifikimin në ndeshjen tjetër.
Të gjithë kanë luajtur mirë, por duhet ta bëjmë përsëri këtë të shtunën. Rusia do ta luajë ndeshjen e fundit në grup kundër Greqisë në Varshavë, ndërsa Polonia do të përballet me Çekinë në Vorklav.
