Çekia fundos Greqinë brenda gjashtë minutave!
Ish-kampionët e 2004-ës kanë pësuar dy gola të shpejtë në fillim të pjesës së parë dhe tani janë me një këmbë jashtë Europianit. Çeh i dhuron Gekasit golin e nderit
Republika Çeke bën autokritikë menjëherë pas humbjes së parë të pësuar kundër Rusisë dhe kthehet në lojë për tu kualifikuar në çerekfinale të Europianit. Në ndeshjen e dytë të grupit A, Roziçki me shokë mundin Greqinë 2-1.
Në Vrockllav, helenët pësojnë dy gola për 6 minuta me Jiraçekun dhe Pilarin. Pastaj, në minutën e 53-të, Çeh bën një gafë të madhe, duke e lejuar Gekasin të shënojë me portën bosh dhe të rihapë një ndeshje, rezultati final i të cilës nuk ndryshon.
Ndeshje thuajse vendimtare mes Republikës Çeke dhe Greqisë, e cila në fund ka çmuar skuadrën lindore. Kampionët e 2004-ës, janë me një këmbë jashtë Euro 2012 pas barazimit në debutim kundër Polonisë në ndeshjen hapëse të 8 qershorit. Ndeshja vendoset praktikisht në minutat e para. Çekët e nisin fort, ndërsa kundërshtari qëndron në pritje. Një goditje e dyfishtë brenda gjashtë minutash ajo e realizuar nga Jiraçek në fillim dhe Pilar pastaj, që e zhvendosin në mënyrë vendimtare ndeshjen. Sepse, nga ai moment, Greqia është e detyruar të bëjë ndeshjen, por nuk duket se ka energjitë e duhura për ta përmbysur rezultatin, por skuadra e Bilekut është shumë e rrezikshme në kundërsulm dhe nuk mendon vetëm të mbrohet.
Ndër të tjera, kundër Greqisë, që vuan një emergjencë në mbrojtje, luan edhe gjyqtari, i cili në minutën e 41-të, anulon për një pozicion jashtë loje thuajse në limit, një goditje me kokë të Fotakisit.
Por ka mjaftuar vetëm një episod, që në mënyrë të përpiktë vjen në fillim të pjesës së dytë. Dhuratën Greqisë ia bën kampioni i Europës me Çelsin, Petër Çeh, i cili përplaset me Sivok, duke u përpjekur të kapë një top që i shpëton nga duart dhe i dhuron një gol të lehtë Gekasit.
Nga ai moment ndryshon inercia e ndeshjes, me bardheblutë që zhvendosen në gjysmë fushën e kundërshtarit në kërkim të barazimit. Megjithatë, Çekia reziston deri në vërshëllimën finale dhe ndeshja e tretë ndaj Polonisë do të jetë vendimtare për fatin e saj në këtë Europian.
2 humbje ka pësuar Greqia në 23 ndeshje me Fernando Santosin si trajner. Numri i fitoreve është 11 ndërsa 10 ndeshje janë mbyllur barazim
1 herë ka fituar Çekia në pesë ndeshjet e fundit ndaj Greqisë. Mbrëmë në Vrocklav ishte hera e parë që pas shpërbërjes së Çekosllovakisë.
Trajneri i Greqisë
Fernando Santos: Na vranë minutat e para!
Trajneri i Greqisë, Fernando Santos, ia vuri fajin 10 minutave të para të lojës për humbjen e ekipit të tij ndaj Çekisë. Ishte një ndeshje që filloi shumë keq për ne, – deklaroi ai. – Ende pa nisur ndeshja e pamë veten me dy gola disavantazh.
Ndoshta ndikoi fakti, që kundërshtari u fut në fushë më i vendosur. Megjithatë ne ishim në gjendje të përmirësoheshim pas kësaj katastrofe. Ne kishim pësuar vetëm katër gola në tetë ndeshjet e fundit zyrtare, ndërsa në Europian që tani kemi pësuar tri gola.
Me përjashtim të 15 minutave të para kemi luajtur më mirë se Çekia, i shkuam pranë barazimit, por nuk ia dolëm. Në lidhje me shanset e skuadrës së tij për të vazhduar më tej, Santos tha: Nëse ka një shpresë, sado e vogël që të jetë ne do të besojmë.
Më pas timonieri i skuadrës helene, shtoi: Nuk e di nëse do të kishim fituar pa ato minuta të para shkatërrimtare, por padyshim që them se nuk do të kishim humbur. Nga këndvështrimi im kemi luajtur më mirë se kundërshtari në të dy ndeshjet e para të Europianit.
Trajneri i Çekisë
Bilek: Uroj që Roziçki të luaj ndaj Polonisë
Trajneri i Çekisë, Mihal Bilek, shpreson që kapiteni Tomas Roziçki të jetë në gjendje të luaj ndeshjen e fundit të Grupit A ndaj Polonisë. Menjëherë pas fitores 2-1 ndaj Greqisë në Vrocklav, mendja e trajnerit ka shkuar te lojtari i tij më i mirë.
Tendina e Akilit të Roziçit nuk ishte një gjë e bukur për tu parë! Uroj që nesër mjekët të më japin lajme të mirë dhe ai të jetë në fushë për ndeshjen e fundit të grupit. Na mungoi shumë në pjesën e dytë kur u deytrova ta zëvendësoj.
Bilek përgëzoi skuadrën e tij për shpirtin e garës që tregoi pas gabimit të bërë nga portieri Çeh dhe për agresivitetin me të cilin e nisën lojën, duke shënuar dy gola në gjashtë minutat e para. Ishte një start i shkëlqyer.
Patëm fat që shënuam dy gola dhe ndërtuam fitoren tonë mbi këto episode në favorin tonë. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, pastaj loja jonë humbi diçka me largimin e Roziçkit, por treguam karakter pas golit të pësuar. Për gabimin e Çehut nuk ka shumë për tu thënë. Nuk u morr vesh me Sivokun. Ai mbetet portieri më i mirë në botë.
