Rusia në flakë, Putin kërkon marrjen e masave
Rusia Qendrore po vijon të përballet me valën e paprecedentë të të nxehtit. Veriu i vendit përjetoi gjatë orëve të natës erëra të forta dhe të ftohta që shkaktuan edhe një uragan i cili la pa energji elektrike rreth 1500 fshatra me rreth 94 mijë banorë.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencitë vendase të lajmeve Itar-Tass dhe Interfax, duke cituar Ministrinë për situatat emergjente. Kryeministri Vladimir Putin u ka kërkuar anëtarëve të qeverisë të marrin masa urgjente për të shmangur pasojat e motit të keq.
Edhe në Moskë, e cila gjatë natës u pastrua nga smogu, janë parashikuar për orët në vijim shira të rrëmbyeshëm. Megjithatë, temperaturat parashikohen të mbeten të larta për moskovitët, dhe sipas meteorologëve, mund të arrijnë nga 27 deri në 32 gradë celsius.
Ndërkohë Putin pritet të shkojë në Kolomna, një territor jashtë Moskës, për të ndjekur nga afër punën e ekipeve të shpëtimit dhe të zjarrfikësve. Në Sarov, ku ndodhet një central bërthamor, flakët janë shuar plotësisht dhe nuk ka asnjë vatër tjetër zjarri që mund të përbëjë rrezik.