Rusi,shpallen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e gazetares
Gjykata ushtarake e Moskës ka shpallur të pafajshëm Sergei Kadzhirkubanov dhe dy vëllezërit Ibrahim e Dzherbrail Makmudov, të cilët ishin të akuzuar se kanë marrë pjesë në mënyrë aktivë në organizatën që ka vrarë gazetaren ruse Ana Politkovskaja. Organi i akuzës ka lajmëruar se do ta apelojë vendimin, ndërkohë që pala mbrojtëse do të kërkojë dëmshpërblimet. 12 anëtarët e jurisë, pas rreth tre orësh në dhomën e këshillimit, kanë vlerësuar se të pandehurit nuk janë të përgjegjshëm për krimin. "E prisnim një gjë të tillë". Ky ka qënë reagimi i parë i Ana Moshalenkos, njëra prej avokateve të familjes Politkovskaja, në momentin e dhënies së vendimit. Duke komentuar vendimin, në radion Eko, të Moskës, avokatja ka kritikuar punën e organeve të akuzës. Ndërsa i biri i gazetares ruse, Ilia është shprehur pas verdiktit, se familja e tij do të respektojë rregullat e gjykatës. 48 vjecarja Ana Politkovskaja, një gazetare investigative, kritikuese e ashpër e Kremlinit, pasi kishte publikuar dy artikuj kritikë mbi korrupsionin dhe abuzimet me të drejtat e njeriut në Rusi, u vra në apartamentin e saj më 7 tetor 2006, kur po kthehej nga supermarketi. Kremlini zyrtar ka mohuar cdo lloj përfshirjeje, duke thënë se vrasja ishte një përpjekje për të diskredituar Rusinë.