E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ruzhdi Bizhuta” përgatitet për Shpresën

13/04/2005  Artin Kovaçi shpjegon plotësimin e kushteve të kërkuara nga UEFA, për ndeshjen e U-21 të Shqipërisë dhe homologëve gjeorgjianë

Duket se vendi i dytë për skuadrën e Elbasanit, këtë sezon të Kategorisë së Superligës është i siguruar dhe ky vend siguron edhe pjesëmarrjen e ekipit në Kupën UEFA. Natyrisht që këtë e dinë edhe drejtuesit e klubit, të cilët kanë filluar përgatitjet për përgatitjen e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare, të cilat ekipi vendas pritet t’i luajë në shtëpinë e tij. Ndërkohë, stadiumi “Ruzhdi Bizhuta”, është përcaktuar nga FSHF, si pritësi i ndeshjes ndërkombëtare të Shpresave, Shqipëri- Gjeorgji. Sekretari i klubit të Elbasanit, Artin Kovaçi, ka shpjeguar përgatitjet e deritanishme që po bëhen për të plotësuar standartet e kërkuara nga organizmat ndërkombëtarë të futbollit.

Cilat janë përgatitjet që po bëhen deri tani, në pritje të ndeshjes ndërkombëtare që ekipi Shpresa do të zhvillojë në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”?

“Në fillim desha të theksoj se ndjehem mjaft i lumtur, që pas pothuajse 18 vjetësh, qyteti i Elbasanit pret një ndeshje ndërkombëtare në stadiumin e tij. Klubi i Elbasanit ka marrë përsipër, zhvillimin e takimit mes Shpresave të Shqipërisë dhe të Gjeorgjisë, duke pasur parasysh edhe sportdashësit e zjarrtë vendas, të cilët besoj nuk do të mungojnë në këtë takim. Për këtë qëllim, ne jemi duke përgatitur të gjitha kushtet që ky takim të zhvillohet pa probleme në fushën tonë. Brenda të gjitha standarteve të kërkuara dhe besoj se deri më 3 qershor, kur do të zhvillohet edhe ndeshja, gjithçka do të jetë gati. Gjatë kësaj periudhe kohore kemi pasur edhe kontakte me zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku konkretisht ditën e shtunë, me sekretarin e kësaj federate, Arben Bici, kemi konkluduar për shumë detaje”.

Cili është elementi që mungon aktualisht, në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta"?

“Për momentin, mendoj se krijimi i një vendi për qëndrimin e gazetarëve është i domosdoshëm të realizohet sa më shpejt. Ne jemi duke studiuar mundësinë që ky vendqëndrim të jetë në tribunën qendrore, ku dy shkallët e qendrës së saj do të veçohen për të bërë të mundur qëndrimin në to, të gazetarëve vendas dhe të huaj që do të ndjekin këtë takim apo edhe të tjerë që mund të programohen për t’u luajtur këtu në të ardhmen”.

Ndërkohë, tashmë është pothuajse e sigurt se Elbasani, sezonin që vjen do të marrë pjesë në Kupën Uefa. A jeni duke u përgatitur për këtë fakt dhe për të zhvilluar ndeshjet me klubet kundërshtarë në fushën tuaj?

Natyrisht që dokumentacioni për këtë qëllim ka kohë që po përgatitet nga ana jonë. Në të gjitha detajet e tij, ne kemi marrë miratimin edhe të FSHF-së, e cila është edhe organizmi që mban lidhjet me organizmat evropiane të futbollit. Ne shpresojmë që klubi i futbollit, Elbasani, të gjykohet nga UEFA, si klub që i plotëson të gjitha kërkesat që ndeshjet që do të zhvillojë ai në garat ndërkombëtare të bëhen në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›